Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LAUREATËT 2022

Vedat Muriqi, futbollisti i vitit nga FFK

Foto: FFK

Vedat Muriqi, futbollisti i vitit nga FFK


Teksti: FFK

24 December, 2022 @23:20

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës spanjolle, Mallorca, Vedat Muriqi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2022.

Në ceremoninë tradicionale të Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u mbajt, të shtunën, në “Klan Arena”, në një atmosferë madhështore dhe me praninë e mysafirëve të shumtë, çmimin kryesor “Fadil Vokrri” në mungesë të Muriqit, i cili është i angazhuar me skuadrën e tij, e pranoi drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, derisa atë e dorëzuan bashkërisht presidenti Agim Ademi dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Pjesë e këtij eventi ishin edhe Daulina Osmani, zv/ministre e Sportit, presidenti i FSHF-së, njëherësh anëtar i KE të UEFA-s, Armand Duka dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, derisa këtë event me nga një telegram e përshëndetën i pari i FIFA-s, Gianni Infantino dhe ai i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.

Për Muriqin ky është çmimi i dytë i futbollistit të vitit nga FFK, ngase herën e parë e kishte fituar në vitin 2019.

“Ju uroj festat e fundvitit. Jam i lumtur dhe krenar për këtë çmim. Falënderoj bashkëlojtarët e Kombëtares. Jam i sigurt se do të më përkrahni deri në fund të karrierës. Është hera e dytë që po zgjidhem si më i miri. Shpresoj që viti 2023 të jetë viti i Kosovës dhe të arrijmë majat, si në aspektin ekipor me Kosovën, por edhe në aspektin individual”, ka thënë Muriqi nëpërmjet një video mesazhi.

Ndërkaq, epiteti i futbollistit më të mirë 2022 në Superligë i takoi anëtarit të FC Ballkani, Armend Thaqi.

Në 11-shen më të mirë të Superligës u zgjodhën: Enea Koliqi, Armend Thaqi, Lumbardh Dellova, Astrit Thaqi, Ardian Limani, Ermal Krasniqi, Lindon Emërllahu, Ilir Krasniqi, Endrit Krasniqi, Albion Rrahmani, Marko Simonovski. Ky i fundit e fitoi edhe çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit.

Futbollistja më e mirë e vitit u shpall Lumbardha Misini, derisa çmimin shpresa e vitit e fitoi Aurora Racaj. Me çmim u nderua edhe talenti i FC Bayer Leverkusen, Larson Ferati. Epiteti i lojtarit më të mirë në futsall i takoi Dardan Topillës. Çmimi i klubit më të mirë të vitit i takoi FC Ballkani, çmimi ‘Fair-Play’ shkoi për FC Ferizaj, ai për klubin më të mirë të vitit tek femrat te KFF EP Hajvalia, derisa në futsall klubi më i mirë u shpall FC Liqeni.

Epiteti i trajnerit më të mirë i takoi Ilir Dajës, i cili me FC Ballkanin pati arritje historike për futbollin e Kosovës, teksa gjyqtari më i mirë për herë të shtatë u shpall Genc Nuza. Me mirënjohje të veçanta u nderuan MKRS, Policia e Kosovës, UEFA, FSHF, FFM, FFSHF dhe UKSHF, si dhe sponsorët e FFK-së.

Ndërkaq me mirënjohje post-mortum u nderuan Erion Kajtazi, Leon Kurtishaj, Milaim Krasniqi, Dervish Shala, Avdullah Svarça, Skender Selmani, Eroll Krasniqi, Arben Dubova, Alush Batatina, Hilmi Bellanica, Sokol Hadri, Muharrem Neziri, Halil Gllogjani, Genc Shasivari, Nexhmedin Lleshi, Galip Hoda, Xhelal Haziraj, Shukri Osmani, Vedat Ibrahimi, Afrim Kuqi-Belaku.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga