NJË ITALIAN TJETËR NË SUPERLIGË
Vushtrria zyrtarizon trajnerin e parë të huaj në histori të klubit
8 September, 2019 @13:53
Pas largimit të Bekim Shotanit, pas tre xhirove të para të stinorit në Superligë, skuadra e Vushtrrisë ka zyrtarizuar trajnerin e ri të skuadrës.
Për herë të parë në histori të klubit vushtrrias, ish-kampioni i Kosovës do të drejtohet nga një trajner i huaj. Ai do të jetë italiani Antonio Toma, që ka punuar me grupmoshat e Lecces dhe ka marrë edhe drejtimin e ekipit të parë derisa ishte pjesë e Serie C-së.
Trajneri 56 vjeç është i lindur në Maglie të Italisë, ndërsa deri në vitin 2017 ka drejtuar të rinjtë e Lecces. Ai ka bashkëpunuar më parë edhe me Antonio Conten, ku ka qenë ndihmës i tij te Atalanta në stinorin 2009/10.
Toma mund të jetë trajneri i parë i huaj te skuadra e Vushtrrisë, por nuk do të jetë italiani i parë në Superligë si trajner, pasi që më parë Liria kishte në skuadër trajnerin Vincenzo Annese.
Vushtrria në tre xhirot e para të stinorit nuk ka shënuar fitore dhe është e fundit në klasifikimin e Superligës. Kurse Toma pritet të debutojë ndaj Ferizajit të Bekim Isufit, si mysafir.