BASHKIMI - YLLI
Ylli për herë të tretë mposht Bashkimin këtë stinor
26 January, 2020 @18:56
Mësuesi ka mposhtur nxënësin e tij përsëri. Trajneri që e kishte bërë Bashkimin kampion për herë të parë në histori, Dragan Radovic, ka dalë fitues ndaj trajnerit aktual të Bashkimit Illmen Bajra, që ishte ndihmës trajner i Bashkimit në kohën kur ekipi u bë kampion.
E Ylli, për herë të tretë ka mposhtur Bashkimin këtë stinor, duke treguar qëndrueshmëri dhe saktësi në momentet vendimtare të lojës.
Ylli ka qenë në epërsi gjatë gjithë ndeshjes, derisa ngriste epërsinë dalëngadalë për çdo çerek [30-26, 22-21 dhe 24-20], kurse prizrenasit u këndellën vonë, duke marrë çerekun e fundit me 22-17, që doli pamjaftueshëm për rezultatin final Bashkimi 89-93 Ylli.
Gjashtë lojtarë të Yllit shënuan pikë dyshifrore, derisa Samir Zekiqi me 21 pikë e 6 kërcime qe më efikasi. Valon Bunjaku qe më i vyeshmi sot te Ylli, duke shënuar 16 pikë, 10 asistime e 6 kërcime, që e bën atë të përfundojë ndeshjen me double-double.
Vlen të theksohet se edhe Rilind Krasniqi dha 18 pikë, derisa përveç gjashtëshes që shënoi pikë dyshifrore te Ylli (përveç të përmendurve edhe: Jameel McKay 12, Terrel Everet 14 dhe Devonte Brown 12) dy basketbollistët tjerë që morrën minuta në derbi, s’shënuan pikë, kurse katër lojtarë tjerë të bankës s’u përdorën fare nga Radovic.
Te Bashkimi Correy Ross me 22 pikë e 10 kërcime ishte më i miri. Kurse nga lojtarët vendorë të ekipit vetëm Ujkan Karanezi ka shënuar pikë dyshifrore, 10.
Ky rezultat çon Yllin në pozitë të dytë të tabelës me bilans 14-6, derisa Bashkimi mbetet i pesti, nën ekipin e Prizrenit, me bilans 12-7.