PRIZRENI - LIPJANI
Zenelaj e Canada mjaftojnë për të mos u befasuar
28 November, 2019 @20:25
Skuadra e Prizrenit ka rrezikuar në pjesë të parë të ndeshjes duke pushuar dyshen e pesëshes së parë të zakonshme, Malcolm Canada dhe Urim Zenelaj.
Edhe pse ia nisën mirë 24-18, në çerek të dytë Lipjani u ndez për të marrë këtë 10 minutësh me 12-29, 36-47 PP.
Sidoqoftë, trajneri i ekipit Arbnor Rifati në pjesë të dytë nuk guxoi të rrezikonte më tepër dhe futi në lojë dyshen, që ndali lipjanasit për të kaluar 26-19 çerekun e tretë dhe 29-12 çerekun e katërt dhe fitoren e shtatë të stinorit 91-78.
Te Prizreni më efikasi ka qenë sonte Ty Nichols. Amerikani që luajti 35 minuta shënoi 30 pikë, 6 asistime e 6 kërcime në ndeshje.
Canada që u fut në pjesë të dytë të ndeshjes dha 16 pikë, 6 kërcime e 2 asistime, ndërsa Zenelaj dha 6 pikë, 13 kërcime e 5 asistime - vetëm në pjesë të dytë.
Performanca e amerikanëve të Lipjanit, që ishin pranë befasisë, u ndalë në pjesë të dytë. Demarcus Stucky Jr kreu ndeshjen me 32 pikë, ndërsa Devaughn Jenkins me 25 pikë.
Pas kësaj fitoreje Prizreni ngritet mbi Prishinën në tabelë me ndeshje më shumë të zhvilluar, ndërsa Lipjani mbetet në fund, pa asnjë fitore këtë stinor.