
Valentin Serebe (Ballkani) — Ylli i javës (4)
Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e katërt të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë radhazi futbollistit të FC Ballkanit, Valentin Serebe, pas një paraqitjeje mbresëlënëse ndaj FC Drenicës.
Serebe ishte vendimtar në fitoren 3:0 të skuadrës së tij, duke realizuar hat-trick në këtë përballje dhe duke siguruar 3 pikët për ekipin nga Suhareka. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Shyqiri Salihu, Bujar Asllani dhe Skender Vllahiu.
Pasi mori këtë çmim, Serebe u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Ndeshja kundër KF Drenicës ishte vërtet e vështirë, por falë Zotit arritëm të fitojmë. Përgatitjet i kemi filluar që nga java e kaluar dhe gjithçka shkoi mirë, qoftë me stafin, qoftë në aspektin taktik. Të gjithë dhamë maksimumin tonë dhe, falë Zotit, ia dolëm. E rëndësishmja është që fituam.
Tani duhet të shohim përpara, drejt ndeshjes së radhës. Do të punojmë edhe më shumë, sepse duhet të fitojmë çdo ndeshje. Muajt që vijnë janë të vështirë, por ne duhet të japim gjithmonë më të mirën tonë. Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar për këtë fitore.
Falënderoj shokët e ekipit, trajnerët dhe drejtuesit për punën e tyre, sepse gjithmonë japim maksimumin. Synimi ynë është të fitojmë trofe dhe ta mbyllim kampionatin si kampionë, me ndihmën e Zotit – ashtu siç e kam thënë edhe më parë.
Gjithashtu, dua të falënderoj edhe tifozët e Ballkanit, të cilët janë të mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort, të japim gjithmonë më të mirën dhe të synojmë ta mbyllim sezonin si kampionë – të gjithë së bashku.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.