
Ndeshja e mbetur e kampionatit, luhet nesër!
Përballja e xhiros së dytë të stinorit 2025/26 të Superligës, e shtyer për shkak të angazhimit ndërkombëtar të Dritës, do të luhet nesër. Njoftimin e ka bërë të ditur Drita sonte, ndërsa gjilanasit janë nikoqir të Drenicës.
Drita, përkundër që arriti sukses historik në gara ndërkombëtare duke siguruar kualifikimin në fazën grupore të Ligës së Konferencës, ende s’ka shënuar fitore në Superligë.
E që po i duhet fitorja e ka thënë edhe trajneri Zekirija Ramdani, në konferencën e rregullt për shtyp të Dritës.
“Gjithsesi neve na intereson objektivi jonë, por ekipi jonë dhe e din që nesër është loja e parë si vendas të edicionit dhe na ka hije me epitetin e kampionit te angazhohemi maksimalisht. Neser objektivi ynë është tre pikëshi dhe e gjith vëmendja është në Gjilan për arsye se vetëm takimi ynë është ditën e nesërme. Duhet t’i marim në formë të gjithë futbollistët sepse kemi shum ndeshje përpara, dhe shpresojmë që nesër ta fillojmë me tre pikëshin e parë të këtij edicioni”, tha trajneri shkupjan i Dritës.