
2 Korriku e Drenica mbështesin trajnerët
Sukadra e Ligës së Parë, 2 Korriku dhe ajo e Superligës, Drenica, brenda ditëve të fundit kanë bërë të ditur se i kanë dhënë përkrahje të fortë kryetrajnerëve dhe shtabeve teknike të tyre.
Derisa 2 Korriku nuk ka ende asnjë pikë të fituar në stinorin 2025/26 në Ligë të Parë, Drenica në anën tjetër hasi në kundërshtim të tifozërisë për vazhdimin me Bylbyl Sokolin në Superligë.
Të dyja skuadrat në fjalë, kanë lëshura nga një komunikatë në llogaritë e klubeve të tyre në Facebook, për të treguar mbështetjen për punën e ekipeve teknike të tyre.
NJOFTIMI I 2 KORRIKUT:
“Kryesia e FC 2 Korriku, me në krye Presidentin z. Rexhep Baholli, pas mbledhjes së mbajtur dhe ri-shikimit të të gjithë situatës nëpër të cilën ka kaluar deri më tani ekipi senior, ka vendosur që të dalë me këtë kumtesë dhe të konfirmoj mbështetjen që ka për stafin teknik, futbollistët dhe të gjithë punëtorët sportivë në rrugëtimin që klubi e ka nisur tash e sa kohë.
FC 2 Korriku e kupton shumë mirë se rezultatet e skuadrës nuk kanë qenë ato të priturat deri më tani, mirëpo janë puna dhe angazhimi i të gjithëve në klub që japin shpresë se rezultatet dhe qëllimet e vendosura në planin afatgjatë do të arrihen.
Drejtuesit e FC 2 Korriku, me besim të plotë tek filozofia që klubi e ndjekë tash e sa kohë, vlerëson se grupi ka aftësitë dhe potencialin që të dalë nga kjo situatë, prandaj për të gjithë, mbështetja nuk do të mungoj asnjëherë.
FC 2 Korriku do të vazhdoj si një familje e madhe, me besim të plotë tek secili anëtar i klubit, duke besuar fuqishëm se e ardhmja do të sjellë frytet për të cilat të gjithë në klub angazhohen maksimalisht.”
NJOFTIMI I DRENICËS:
“Deklarata e publikuar nga një grup i caktuar brenda klubit të tifozësh është tendencioze, dashakeqe dhe aspak e rastësishme. Qëllimi i saj është i qartë: të dëmtojë klubin në prag të ndeshjeve të rëndësishme që na presin.
Kryesia, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i klubit janë 100% pas trajnerit Bylbyl Sokoli dhe lojtarëve tanë. Për herë të parë, FC Drenica ka një kryesi të fortë, me vendime që nuk lejojnë ndërhyrje nga jashtë. Pikërisht kjo nuk i pëlqen disa personave të caktuar, të cilët mund të kenë synime të këqija.
Ne e bëjmë të qartë se nuk i marrim për bazë reagime të orkestruara, të cilat nuk përfaqësojnë vullnetin e tifozëve të vërtetë të Drenicës. Klubi vazhdon rrugëtimin e tij me unitet, përkushtim dhe besim të plotë në stafin dhe futbollistët tanë.”