
Pas disfatës së thellë, Arsim Abazi jep dorëheqje
Disfata e thellë e pësuar nga Prishtina sot, ka qenë e papranueshme për trajnerin Arsim Abazi, që ka dhënë dorëheqje me të përfunduar ndeshja. Ferizaji pësoi 0-5 nga Prishtina sot, ndërkaq Abazi që javë më parë mori besimin e plotë të kryesisë për vazhdim të detyrës me klubin – dha dorëheqje.
VIDEO: FERIZAJI-PRISHTINA
E kryesia e klubit në një mbledhje të mbajtur pas ndeshjes së sotme, bëri të ditur se pranoi këtë vendim, duke i uruar sukses tani më ish-trajnerit të ekipit.
“FC Ferizaj përmes këtij njoftimi dëshiron të informoj publikun se sot pas ndeshjes kundër Prishtinës, kryetrajneri Abazi dhe stafi i trajnerëve kanë ofruar dorëheqjet e tyre.
Presidenti i klubit Lulzim Abazi dhe drejtori sportiv, Genc Hyseni, në takimin e mbajtur pas zhvillimeve të fundit, e kanë pranuar vendimin e Arsim Abazit dhe stafit, pavarësisht se mbështetja ndaj tyre ishte e palëkundur.
Kësisoj, FC Ferizaj e falenderon kryetrajnerin e deritashëm, Arsim Abazi dhe stafin e tij për kontributin e tyre të çmuar në pankinën tonë.
Me të si trajner, FC Ferizaj arriti të inkuadrohet në Superligë dhe ishim pretendent i fuqishëm për të siguruar një vend në kualifikimet për garat evropiane.
FC Ferizaj i uron shumë shëndet e suksese trajnerit Abazi, duke theksuar se ai do të mbetet përherë pjesë e rëndësishme e historisë së klubit.” — shkroi njoftimi i plotë i FC Ferizajit pak më parë.
Përndryshe, me këtë disfatë, Ferizaji ka rënë në fund të tabelës së klasifikimit të Superligës. Ndërkaq, sa për statistikë të këtij stinori, Arsim Abazi bëhet trajneri i dytë që nis stinorin dhe largohet nga ekipi, pas Elon Berishës së Prishtinës së Re.