Komuna e aprovon, Inter dhe Milan blejnë “San Siron”

Këshilli i qytetit të Milanos ka aprovuar shitjen e stadiumit ikonik “San Siro” pas kërkesës së dy klubeve të mëdha dhe rivale të qytetit, Milan dhe Inter. Shitja e stadiumit u aprovua me 24 vota pro dhe 20 vota kundër, bëri të ditur La Gazzetta dello Sport sot. Dy klubet duke folur për stadiumin e ri thanë se ajo që do të ndërtohet do të jetë “një ikonë arkitektonike”.

Këshilli i qytetit mori vendimin vonë, pasi që mbledhja filloi në ora 16.30 pasditen e 29 shtatorit dhe përfundoi në 3.50 të mëngjesit të sotëm, 30 shtator. Shitja e plotë nuk është finalizuar ende, pos nëse nuk ndodh ndonjë befasi e madhe nga bankat në 40 ditët e ardhshme. Vlera e shitjes nga agjencioni Revenue u tha të jetë 197 milionë euro, sa edhe do të paguajnë klubet në fjalë, duke mos llogaritur këtu zbritjen e premtuar nga Komuna prej 22 milionë eurosh.

Shitja, me letra, do të kompletohet më së voni më 10 nëntor, kur të gjitha dokumentet dhe garancionet pritet të nënshkruhen. Nëse deri më atë datë nuk përfundojnë këto, atëherë “San Siro” nuk do të mund të rrënohet më dhe nuk do të ketë stadium të ri! Kompanitë “Manica” dhe “Foster+” janë zgjedhur nga Inter dhe Milan për të bërë projektin e madh.

Kapaciteti i stadiumit të ri, pritet të ketë 71 mijë e 500 ulëse, por para se të nis ndërtimi projektin duhet ta miratojnë paneli i ekspertëve, ku përfshihet edhe Komuna, rajoni, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe entitetet tjera relevante. Procesi, aspak nuk do të jetë i lehtë. Dy klubet planifikojnë investime mbi 1 miliardë euro.

Fillimi i punimeve do të nis në pjesën e parë të vitit 2027. Inter dhe Milan do të vazhdojnë të luajnë në “San Siro”, ndërsa ndërtimi i stadiumit të ri do të fillojë në afërsi të këtij aktual. Në ndërkohë, për disa vite, dy stadiumet do të bashkekzistojnë për një kohë, njëra duke u përdorur ende, ndërsa tjetra në konstruktim e sipër.

Kalkulimet e Interit dhe Milanit janë që inaugurimi i stadiumit të ri të bëhet në vitin 2031, ku për disa muaj qyteti do të ketë dy stadiume. Ai historik do të përdoret për koncerte dhe i riu për ndeshje futbolli. Demolimi i “San Siros” do të fillojë në vitin 2031.

Pasi që EURO 2032 do të bashkorganizohet mes Italisë dhe Turqisë, atëherë qyteti i Milanos është kandidat natyral për një lokacion. Ndërkaq investimi i Interit dhe Milanit thuajse do t’ia sigurojë Milanos epitetin e njërit nga qytetet për ndeshje evropiani. Aktualja nuk i plotëson kushtet për të qenë pjesë e EURO 2032. Aktualisht, Italia për EURO 2032 ka vetëm një stadium që i plotëson standardet e kërkuara nga UEFA, atë të Juventusit.

(marrë nga: La Gazzetta dello Sport)

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live