
Ish futbollisti i Prishtinës së Re, zyrtarizohet te Malisheva
Malisheva ka zyrtarizuar sot futbollistin që ka qenë pa klub në treg, Agustin Rojas. Argjentinasi që në stinorin e kaluar i ndihmoi Prishtinës së Re ngritjen në Superligë, tash e tutje do të bart fanellën e ekipit të drejtuar nga Qatip Osmani.
Rojas, mesfushor ofanziv 26 vjeçar, që më parë luajti te KF Erzeni i Shqipërisë, pritet t’i ndihmojë mesfushës malishevase.
“Kemi kënaqësinë të ju prezantojmë futbollistin e ri, mesfushorin, Agustin Rojas.
Fantazisti argjentinas është i rritur në Racing në Argjentinë, ndërsa është paraqitur edhe në Superioren e Shqipërisë me Erzenin, ndërsa së fundi ishte pjesë e Prishtinës së Re, duke qenë aty një nga lojtarët kyç.
Rojas, apo siç e njohin të gjithë, si Tuco do t’i jap edhe më shumë cilësi e kreativitet mesfushës tonë cilësore.
¡Bienvenido Tuco!” — shkroi FC Malisheva në njoftim.
Malisheva përndryshe, në xhiron e tetë të Superligës që luhet në fundjavën që vjen do të pret Llapin në “Liman Gegaj”. Së fundi, ata bënë përmbysjen e madhe në fundjavën që e lamë pas, ku kanë arritur që epërsinë prej 2-0 dhe 3-1 të Drenicës ta përmbysin në 3-4 për të marrë tre pikët në këtë ndeshje.