
FBK vendos, nuk ka Superkupë këtë stinor!
Superkupa e Kosovës në basketboll, që ka sjellë emocione të mëdha dhe ka treguar nivelin e ekipeve për fillimin e stinorit vijues — nuk do të mbahet këtë vit. Kështu ka vendosur Bordi i FBK-së, ndërsa Federata kumtoi vendimin dje, duke bërë të ditur lajmin jo të pritur!
Viteve të fundit, Superkupa e Kosovës organizohej në formë turneu, ku skuadrat luanin çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale — derisas njëra skuadër niste stinorin vijues me trofe.
FBK ka arsyetuar vendimin për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë, pastaj mosvonimin e Superligës. Krejt kjo, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëj numërimin e votave në palestrat e qyteteve, që rrjedhimisht bllokon ato. E FBK bashkë me klubet, si duket nuk kanë bërë më shumë për të luajtur Superkupën dhe kanë vendosur për anulim!
Vendimet e Bordit të FBK-së
“Fillimi i edicionit 2025/26
Bazuar në kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që dalin nga Statuti, gjegjësisht Neni 24, si dhe në përputhje me Rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së, në mbledhjen e mbajtur më 30.09.2025, Bordi i FBK-së, pas trajtimit të pikave sipas rendit të ditës, ka vendosur si në vijim:
1. Palestrat sportive dhe procesi zgjedhor
Lidhur me çështjen e palestrave sportive të zëna për zgjedhjet lokale dhe ndikimin e tyre në fillimin e edicionit të ri të garave të FBK-së, janë miratuar vendimet si më poshtë:
1.1. Pas aprovimit nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), xhiroja e parë (I) e ProCredit Superligës dhe Superliga Femrat do zhvillohet sipas datave të parashikuara, në palestrat sportive të qyteteve përkatëse.
• ProCredit Superliga do fillojë me datë 4-5 tetor 2025 në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiro e dytë (II) vazhdon me datat 18-19 tetor 2025 në palestrat sportive përkatëse.
• Superliga Femrat do të fillojë sipas datave të parashikuara në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiroja e dytë (II) dhe tretë (III) do organizohen nga FBK në një palestër sportive të vetme, me qëllim lehtësimin e zhvillimit të ndeshjeve në periudhën zgjedhore.
1.2. Është vendosur që Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 të anulohet dhe të mos zhvillohet, me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i ProCredit Superligës dhe të sigurohet zhvillimi i garave sipas kalendarit të paraparë.”