
Mungesa e Pajazitit, Sylvinho fton mesfushorin që e ndoqi 6 muaj
Pas mosarritjes së Adrion Pajazitit te Shqipëria, përkundër ftesës, për shkak të lëndimit, selektori kuqezi Sylvinho ka ftuar një mesfushor kreativ në vend të tij.
Mesfushorin e ftuar nga Sylvinho, për të cilin PanoramaSport thotë se e ka ndjekur qe gjashtë muaj, e njohin mirë edhe në Superligë të Kosovës, pasi që Nazmi Gripshi kishte veshur fanellën e Ballkanit në arritjet historike të ekipit me tituj dhe kualifikim në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Durrësaku Gripshi (28) aktualisht luan te Astana e Kazakistanit dhe po tregon performanca të mira atje, ndërsa nuk i ka ikur syrit të përzgjedhësit brazilian të kombëtares shqiptare.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe njoftimi i FSHF-së sot, duke treguar edhe ditën e arritjes së mesfushorit që shpreson në debutim me kuqezinjtë.
“Sakaq, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë për këto dy ndeshje edhe mesfushorin Nazmi Gripshi, i cili vjen si zëvendësim për Adrion Pajazitin e dëmtuar. Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion ndaj Serbisë dhe Jordanisë.” — shkroi FSHF sot.
TABELA AKTUALE, GRUPI K:
1. Anglia 15 pikë (5 ndeshje); 2. Shqipëria 8 pikë (5 ndeshje); 3. Serbia 7 pikë (4 ndeshje); 4. Letonia 4 pikë (5 ndeshje); 5. Andorra 0 pikë (5 ndeshje).
NDESHJET E MBETURA:
11 tetor,
Letonia-Andorra
Serbia-Shqipëria
14 tetor,
Letonia-Anglia
Andorra-Serbia
13 nëntor,
Andorra-Shqipëria
Anglia-Serbia
16 nëntor,
Serbia-Letonia
Shqipëria-Anglia.