
Bastoret favorizojnë Kosovën në ndeshjen me Slloveninë
Përkundër se Kosova është ekipi i fundit për kah renditja dhe rëndësia në vazo nga fillimi i kualifikimimeve në Grupin 2 të zonës evropiane për Botërorin 2026, bastoret i kanë dhënë epitetin e favoritit në ndeshje ndaj Sllovenisë.
Kjo, me siguri vjen pas fitores befasuese të shënuar të Kosovës të regjistruar ndaj Suedisë në përballjen e shtatorit në “Fadil Vokrri”. Ndërkaq, në anën tjetër edhe mosarritja e Sllovenisë të tregojë lojë më të mirë sesa një barazim në fund me Suedinë kur luajti në shtator në Ljubljanë, e bëri të veten.
Kështu, ndër bastoret më të njohura në botë, bet 365 ka vendosur kuotën prej 2.35 për fitoren e Kosovës në këtë ndeshje, ndërsa fitoren e Sllovenisë e ka kuotuar me 3.00. Barazimi është rezultati më pak i mundur sipas bastoreve. Që skuadrat të marrin nga një pikë nga ky duel është vlerësuar me 3.40.
Të premten me fillim prej orës 20.45 në “Fadil Vokrri” Kosova do të pret Slloveninë në ndeshjen e tretë me radhë të grupit kualifikues për Botëror. Aktualisht, Kosova ka 3 pikë në Grupin 2, 3 më pak se Zvicra lidere. Ndërsa pas tyre renditen Suedia e Sllovenia që kanë nga një pikë. Me të dyja këto vende Kosova do të ndeshet këtë muaj.
Dardanët pasi presin Slloveninë më 10 tetor, udhëtojnë për në Geteborg për ndeshjen e datës 13 tetor në kuadër të Grupit 2 kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksiko .