
Kosovës i zyrtarizohet rekordi i ri nga FIFA!
Është botuar sot renditja e re e FIFAs për kombëtare, ndërsa Kosova ka shënuar rekord ngritjen e muajit tetor, të cilën edhe lista e FIFAs e ka paraqitur, duke u ngritur për 7 pozita më lart në renditjen mujore.
Arritja e Kosovës në pozitën e 84-të të renditjes së FIFAs është rekord për Kosovën, që po vazhdon të merr lartësi në kombëtaret e futbollit botëror, veçanërisht pas rezultateve të tetorit ku arriti pikë ndaj dy kombëtareve më lart të ranguara dhe me themel në gara kualifikuese si Sllovenia dhe Suedia.
Bile, edhe FFK nuk fshehu fare entuziazmin me këtë arritje, duke dhënë shpresa për një kualifikim historik në Botëror, që në fillim shihej si ëndërr me sy hapur.
“Kjo arritje është motivim i madh për nëntorin e nxehtë, ku Dardanët përballen me Slloveninë dhe Zvicrën, ndeshje të cilat mund t’ia sigurojnë kualifikimin historik në Botëror!” — shkroi FFK në njoftim.
Përndryshe, FFK sot zyrtarizoi edhe vazhdimin e kontratës me selektorin aktual të saj, Franco Foda, që u bë pjesë e historisë së Kosovës. Foda së pari siguroi Ligën B të Kombeve për Kosovën — për herë të parë në histori, ndërkaq në këtë tetor, theu rekordin e pikëve që ndonjëherë ka marrë Kosova në kualifikime për Botëror — 7 pikë.