
Foda: Sllovakia ka mposhtur Gjermaninë, por ne kemi vetëbesim tani
Kosova ka mësuar rivalët e playoffit për Botëror. Dueli i parë i Kosovës është më 26 mars 2026 në Sllovaki, ku do të jenë mysafir në një 90-minutësh (ndoshta edhe më shumë) të zjarrtë.
Sllovakia nuk ka humbur asnjë ndeshje në terren të vetin, ndërsa ka fituar të gjitha, bile as një barazim nuk e ka aty. Nëse Kosova e kalon Sllovakinë në gjysmëfinale të playoffit, atëherë do të luajë finalen në “Fadil Vokrri” me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Turqia-Rumania.
Foda me vetëbesim
Menjëherë pas shortit, për FFK-në është deklaruar përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda që ka thurr lëvdata për ekipin sllovak por ka bërë të ditur se tashmë Kosova ka vetëbesim dhe ndeshja kryesore është kjo e para.
“Sllovakia ka ekip shumë të mirë. Ata fituan në shtëpi ndaj Gjermanisë, 2-0. Por bazuar në rezultatet tona të fundit, ku kemi fituar si mysafir ndaj Sllovenisë, Suedisë por edhe Islandës, tani kemi vetëbesim dhe ndeshja do të jetë e barabartë. Nëse e fitojmë atë ndeshje atëherë kemi ndeshjen tjetër në shtëpi. Por, siç e thashë, ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e parë në Sllovaki dhe pastaj shohim më tej”. — tha Foda.
Nëse arrihet, finalja luhet në “Fadil Vokrri”
Shorti i tërhequr nga duart e ish sulmuesit të Suedisë, Martin Dahlin, solli Kosovën në rrugëtimin C për Botëror, ku së pari më 26 mars 2026 do të luajë ndaj Sllovakisë. Një ndeshje, që vendos për finalistin e këtij rrugëtimi. Nëse Kosova e kalon këtë, atëherë ndeshjen finale ku fituesi shkon në Botëror, do ta luajë në “Fadil Vokrri” ku do të pres fituesin e përballjes Turqia-Rumania.
