Malli për Botëror! Ku gjinden ekipet nga rrugëtimi i Kosovës?

Shpresat janë aty. Por, tani është koha për të qenë të qetë dhe për të analizuar kundërshtarët ku gjenden në renditjen e FIFAs dhe përvojën e tyre në Botërore.

Kosova dje mësoi rrugëtimin në playoff për Botëror. Së pari duhet mposhtur Sllovakia jashtë. Nëse kalohet kjo, atëherë finalja në “Fadil Vokrri” luhet më 31 mars ndaj fituesit të gjysmëfinales tjetër, Turqia – Rumania.

Renditjet e fundit të FIFAs

Realisht, të gjitha këto kombëtare janë shumë më lartë sesa Kosova të ranguara në renditjen mujore të fundit të FIFAs. Bile, asnjëra në muajin e fundit nuk ka pasur rënie, derisa dy kanë shënuar ngritje.

Turqia #25 mungon në Botërore, prej “Japonia-Korea 2002”

Kështu, si skuadër më lartë e ranguar në renditjen e FIFAs, Turqia që është e 25-ta në botë, nuk ka siguruar një biletë për Kampionat Botëror që prej “Japonia-Korea 2002” kur bënë befasinë duke arritur në pozitë të tretë. Turqit tashmë 24 vite janë pa Botëror!

Sllovakia #45 — ka një pjesëmarrje historike

Sllovakia është e 45-ta në renditjen e FIFAs dhe këtë muaj është ngritur për një pozitë aty. Edhe pse si shtet i vetëm pas vitit 1995, Sllovakia ka arritur njëherë Botërorin në histori. Ata kanë qenë të pranishëm në Botërorin e parë të Afrikës, kur morrën pjesë në “Afrika Jugore 2010”. Për më tepër, kishin kaluar fazën grupore.

Rumania #47 — që prej “Franca 1998” mall për Botëror

Rumunët ndërkaq, janë në pozitë të 47-të të renditjes së FIFAs aktualisht. Ata nuk kanë arritur Botërorin që prej “Franca 1998” pas shkëlqimit që kishin pasur në “SHBA 1994” me legjendat e tyre, Hagi e Popescu!

Kosova #80 — E treta e vërteta?

Kosova siç e dimë, është e 80-ta. Rekord arritje. Rekord edhe pjesëmarrja në playoff edhe pikët në grup! “Dardanët” që po marrin pjesë tek në kualifikimet e treta të tyre për një Botëror, janë para ëndrrës së madhe, për të cilën u kanë mbetur dy beteja. Kosova debutoi në kualifikime Botërori pas pranimit në UEFA e FIFA në “Rusia 2018”. Mori pjesë edhe në kualifikime për në “Katari 2022” – por pa sukses. Tani, rasti që i është shfaqur, është më i madhi në histori.

Por, nga të gjitha këto 4 skuadra vetëm njëra do të merr biletën për Botëror. Duelet janë kështu:

26 mars 2026,
18.00 Turqia-Rumania
20.45 Sllovakia-Kosova

31 mars 2026,
Fituesi 1 vs. Fituesi 2.

Fituesi i finales, siguron biletën për Botëror!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live