Edhe Prishtina e Re mbetet pa trajner!

Pak kohë pas largimit të Arsim Thaqit nga Prishtina, edhe një ekip tjetër ka mbetur pa trajner. Skuadra debutuese në Superligë, Prishtina e Re është ndarë me trajnerin e tyre aktual, që mori detyrë të përkohshme pas shkarkimit të Elon Berishës në krye të ekipit.

Përmes një njoftimi të lëshuar në llogarinë personale të Facebookut, Shpëtim Babaj, që ushtronte detyrën e timonierit të ekipit të Prishtinës së Re ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga klubi. Ai i ka uruar suksese më tej Prishtinës së Re dhe u ka thënë se tash e tutje do të kenë një tifoz shtesë të ekipit.

“Sot jap dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e kryetrajnerit të KF Prishtina e Re.
Ky vendim vjen pas një analize të situatës aktuale dhe pas ndeshjes së fundit, duke konsideruar të gjitha aspektet profesionale të punës sime. Edhe pse dorëheqjen e kam paraqitur më herët (dy herë), këtë herë vendimi është përfundimtar.
Gjatë periudhës së angazhimit tim kam punuar me seriozitet të lartë, përkushtim të plotë dhe profesionalizëm maksimal, pavarësisht sfidave të shumta dhe faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar në dinamikën e punës.
Në çdo moment kam vepruar me integritet dhe me synim të vetëm për të kontribuar në zhvillimin e ekipit .
Falenderoj drejtuesit për besimin qe kishin dhe vazhdonin ta kishin tek une, si dhe të gjithë futbollistat që kanë kontribuar pozitivisht gjatë kësaj periudhe.
KF Prishtina e Re ka potencial te madhe për të arritur objektivat e veta, nëse sigurohet qartësi, stabilitet dhe bashkimi në të gjitha strukturat.
Dorëheqja ime është një akt profesional dhe i menduar me përgjegjësi të plotë, me bindjen se ky ndryshim do t’i shërbejë energjisë së re dhe progresit të klubit.
Falenderim i veçantë shkon për kryetarin Rrustem Pacollin dhe gjithe kryesinë e klubit.” — shkroi Babaj.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS

Kujtojmë, Prishtina e Re stinorin debutues në Superligë e nisi me trajnerin që i ngriti si ekip, Elon Berisha. Shpëtim Babaj në ndërkohë punonte si drejtor sportiv i klubit. Ai e zëvendësoi Berishën në këtë post. Në ndërkohë, Prishtina e Re pas startit të mirë të stinorit mori teposhtëzen dhe u ngujit në fund të tabelës.

Pas 14 xhirove, Prishtina e Re me 3 fitore, 2 barazime e 9 humbje me 11 pikë në total është në fund të renditjes tabelare, në pozitë të dhjetë. Mbi ta është Ferizaji, me 4 pikë më shumë, në pozitë të nëntë, që gjithashtu rrëzon nga Superliga.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live