Sllovakia vendos, ndeshjen ndaj Kosovës e luan në…

Tashmë dihet përfundimisht, pasi që sot ishte afati i fundit për të zyrtarizuar stadiumin ku do të luhet gjysmëfinalja e playoffit. Federata sllovake para pak çastesh zyrtarizoi se ndeshjen gjysmëfinale ndaj Kosovës do ta zhvillojë në Bratisllavë, pasi që konsideroi edhe stadiumin e Trnavës dhe Koshices.

Deklarata e sekretarit të Federatës sllovake

Kështu, zyrtari i lartë i Federatës sllovake, sekretari i saj Peter Palenčík bëri të ditur se shtëpia e futbollit përfundimisht ka vendosur që ndeshja të luhet në kryeqytet! Ndërsa në deklaratën e tij të plotë, ai ka thënë:

“Kemi konsideruar stadiumet e Bratisllavës, Trnavës dhe Koshices, duke shikuar të gjitha rrethanat, mundësitë, stabilitetin dhe situatën që mund të ndodhë, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Arsyet logjistike kanë pasur përparësi, duke nisur nga siguria, kapaciteti i stadiumit, operacionalet e sigurisë si dhe akomodimi dhe siguria e mysafirëve. Me këtë, kemi dërguar në UEFA njoftimin që ndeshjen me Kosovën do ta luajmë në Bratisllavë”, ka thënë Palenčík.

Për më tepër, Federata ka bërë të ditur se për arsye të njëjta edhe ndeshja potenciale finale e playoffit, nëse Sllovakia kalon Kosovën do të zhvillohet në Bratisllavë.

“Për shkak se rrethanat e sigurisë dhe rëndësia e ndeshjes janë të njëjta, edhe finalja potenciale do të luhet në stadiumin kombëtar të Bratisllavës.” tha ai.

Kosova dhe Sllovakia kanë përfunduar në vendet e dyta të grupeve të tyre përkatëse në kualifikim për Botërorin 2026 dhe kështu kanë siguruar ndeshje shtesë, të playoffit për të kërkuar biletën drejt “USCAME 2026”.

Ndeshja do të luhet më 26 mars 2026 me fillim prej orës 20.45. Ekipi që e fiton këtë ndeshje, do të luajë finalen e playoffit ndaj fituesit të ndeshjes Turqia-Rumania më 31 mars, ku fitorja do të thotë pjesëmarrje në Botëror.

Cilado që e fiton duelin Sllovakia-Kosova, do të jetë nikoqire e finales. Pra, “dardanët” do të kenë mundësi unike që nëse eliminojnë Sllovakinë në gjysmëfinale, të luajnë finalen në “Fadil Vokrri” më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë.

Kapaciteti dhe stadiumi

Stadiumi kombëtar i Sllovakisë, Tehelne pole, ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve. Ai është renovuar plotësisht në vitin 2019 dhe ka kushtuar 98.5 milionë euro. Sllovakia ka luajtur aty vetëm një ndeshje kualifikuese, ndaj Gjermanisë, të cilën e fituan 2-0!

“Tehelne pole” ka dimensione 105×68 metra dhe është stadium me bar natyral. Pos kombëtares sllovake, aty luan edhe Slovan Bratislava si dhe sipas nevojës kombëtarja U-21 e tyre.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live