Kualifikohen dhe ndahen me trajnerin!

Paradite ua siguroi kualifikimin në Kupë të Kosovës, ndërsa pasdite erdhi njoftimi për largimin e tij nga detyra. Drenica, që mposhti Prizrenin në kuadër të 1/32 të Kupës së Kosovës sot me rezultat minimal, 1-0 dhe ka siguruar të gjashtëmbëdhjetën e finales së Kupës ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të tyre, Bylbyl Sokoli.

“Profa” siç njihet kryetrajneri Sokoli është ndarë me mirëkuptim me ekipin dhe në mënyrë korrekte, derisa Drenica ka bërë të ditur se projekti i tyre serioz do të vazhdojë për të çuar klubin në gara evropiane për herë të parë!

“FC Drenica njofton opinionin se bashkëpunimi me Prof. Bylbyl Sokolin ka përfunduar në mirëkuptim të plotë dhe në frymën më korrekte të respektit profesional.
Klubi e falënderon sinqerisht Profesor Sokolin për të gjithë kontributin e dhënë, nga rikthimi në Superligë deri te puna e tij këtë sezon në komponimin dhe përgatitjen e skuadrës. Kontributi i tij mbetet i vlerësuar nga drejtuesit, futbollistët dhe çdo njeri që e do FC Drenicën.
Profesor Sokoli do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë dhe do të ketë respektin më të lartë nga klubi dhe komuniteti.
FC Drenica vazhdon përpara me qartësi, profesionalizëm dhe objektiva të mëdha.
Klubi ynë është i përkushtuar të ndërtojë një projekt serioz, afatgjatë dhe me ambicie të qarta për të çuar Drenicën në arenën europiane.” — shkroi FC Drenica në njoftim.

Në Superligë, Drenica aktualisht është në pozitë të tetë, në zonë të barazhit. Pas 15 ndeshjeve të para të stinorit ekipi ka shënuar 5 fitore dhe 2 barazime, derisa ka përjetuar 8 disfata. Kuqezinjtë nga Skenderaji kanë 17 pikë, 3 më shumë sesa Prishtina e Re që është e fundit në renditjen tabelare të Superligës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live