Lindon Emërllahu prezantohet te ekipi i tij i ri

Futbollisti suharekas, që bëri emër te Ballkani dhe doli në skenë të futbollit shpejt, Lindon Emërllahu, është prezantuar te klubi i tij i ri. Mesfushori defanziv i Kosovës, që ka regjistruar 12 paraqitje te Kosova dhe ka shënuar 1 gol, është bërë lojtar i ri i ekipit ukrainas, Polissya Zhytomyr.

Lindon Emërllahu (23) është 183cm i gjatë dhe vjen nga Mushtishti i Suharekës. Ai së fundi ka qenë pjesë e ekipit rumun, CFR Culj, ndërsa vlera e tij në Transfermarkt është 1.5 milionë euro. Po sipas Transfermarkt, kalimi i tij prej Cluj te Polissya i ka kushtuar klubit ukrainas 2 milionë euro.

Ekipi i tij i ri e ka paraqitur së pari më fjalët: “Futbollisti i parë në histori të klubit që vjen nga Kosova. Mirë se vjen Emërllahu.” Përndryshe, edhe kalimi i tij në Ukrainë prej Rumanisë u bë shpejt, pasi që ai në shkurt të këtij viti kishte kaluar prej Ballkanit te Cluj!

Te Cluj, Emërllahu ka qenë tepër aktiv derisa ka luajtur 41 ndeshje për klubin duke shënuar 6 herë dhe duke bërë 3 asistime. Edhe pse u kërkua nga disa ekipe tjera rumune, Cluj vendosi ta shesë atë drejt ukrainës, për shumën mbi dyfish sa i kishte paguar Ballkanit në shkurt të po këtij viti.

Mediat rumune kanë njoftuar edhe për rrogën e Lindonit në ekipin e tij të ri. Sipas tyre, suharekasi do t’i fitojë 500 mijë euro në vjet, të pastra pa bonuse të mundshme të përfshira në kontratë.

Në ekipin e Polissyas, Emërllahu nuk do të ndihet i vetmuar, pasi që pjesë e këtij klubi është edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Andi Hadroj. Ekipi drejtohet nga ish reprezentuesi i dikurshëm i Ukrainës, Ruslan Rotan, emër i respektuar dikur në futbollin e këtij vendi.

Sa i përket futbollit ukrainas, edhe pse i goditur nga lufta me Rusinë, kampionati po zhvillohet ndërsa lojtarët tjerë nga Kosova dhe Shqipëria që janë pjesë e kësaj lige, nuk është se kanë raportuar ndonjë rrezik të madh.

Muharrem Jashari luan te LNZ Cherkasy, Ilir Krasniqi te Kolos Kovalivka dhe Baton Zabërgja te Metalist 1925. Të gjithë këta reprezentues të Kosovës!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live