
FIFA Renditja: Kosova me ngritje të vazhdueshme
Kombëtarja e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2025 në vendin e 80-të të ranglistës së FIFA-s, që është pozita më e mirë ndonjëherë në historinë e saj. Dardanët e nisën vitin nga vendi i 99-të dhe, me një përparim prej 18 pozitash, shënuan ngjitjen më të madhe nga të gjitha kombëtaret e tjera gjatë këtij viti.
Ky progres i jashtëzakonshëm dëshmon zhvillimin e vazhdueshëm të kombëtares sonë dhe rezultatet e e shkëlqyeshme në arenën ndërkombëtare. FIFA e ka konfirmuar zyrtarisht Kosovën si kombëtaren me ngjitjen më të madhe të vitit në renditjen globale.
“Para kualifikimeve për Kupën e Botës, Kosova kishte fituar vetëm një nga 18 ndeshjet eliminatore dhe kishte shënuar tetë gola, duke pësuar 39. Megjithatë, kjo ndryshoi në vitin 2025. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda, pas humbjes në xhiron e parë ndaj Zvicrës, mbeti i pamposhtur në pesë ndeshjet e tjera, fitoi tri prej tyre dhe siguroi për herë të parë një vend në ‘play-off’-in evropian”, ka shkruar FIFA pas publikimit të ranglistës së fundit të vitit.
Sipas FIFA-s, fitoret dhe barazimet, të shoqëruara me paraqitje të suksesshme në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe në ndeshje miqësore, i sollën Kosovës 89.02 pikë, duke e ngjitur nga vendi i 99-të në vendin e 80-të –pozita më e lartë e arritur ndonjëherë.

Gjatë vitit 2025, Kosova regjistroi suksese të rëndësishme:
• Avancim nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve pas fitoreve ndaj Islandës;
• Fitore bindëse në miqësore ndaj Armenisë dhe Komoreve;
• Reagim i fuqishëm pas humbjes ndaj Zvicrës, me dy fitore ndaj Suedisë dhe një ndaj Sllovenisë, si dhe dy barazime ndaj Sllovenisë e Zvicrës;
• Sigurim i vendit në “play-off” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Rruga e Kosovës në ranglistën e FIFA-s ka qenë e gjatë dhe progresive që nga përfshirja e parë në korrik 2016, kur renditej në vendin e 190-të. Hyrja në top-100 u realizua në fund të vitit 2024, ndërsa viti 2025 shënoi një ngritje të pandalshme: 97-ta në prill, 95-ta në qershor, 91-ta në shtator, 84-ta në tetor dhe përfundimisht 80-ta në nëntor e dhjetor.
Në muajin mars, Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshjen e radhës. Një fitore ndaj Sllovakisë në Bratisllavë do ta afronte edhe më shumë drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës, ndërsa pozita aktuale në ranglistën e FIFA-s mbetet një shpërblim dhe motivim shtesë për Dardanët. (Teksti: FFK).
