
Bllaca – Gjilani, shkëputet marrëveshja!
Portieri që prej moshës së re veshi fanellën e kuqe të Gjilanit, Aridon Bllaca së fundi është ndarë me ekipin e tij të fëmijërisë. Klubi gjilanas ka bërë të ditur se me kërkesë të lojtarit, kanë ndërprerë bashkëpunimin, ndërsa i kanë uruar sukses Bllacës 24 vjeçar.
Bllaca 187cm i gjatë në Transfermarkt vlerësohet me 150 mijë euro, ndërsa ai ka qenë pjesë e pandashme e ekipit të SC Gjilani që prej moshës së re, pos periudhës kur u huazua te Vllaznia.
“Sport Club Gjilani njofton opinionin publik dhe gjithë tifozët se, me kërkesë të vet futbollistit, është mbyllur bashkëpunimi me Aridon Bllacën.
Aridon Bllaca ka qenë pjesë e pandashme e Sport Club Gjilani që nga viti 2016, kur hapi hapat e parë të karrierës së tij futbollistike në Shkollën e Futbollit të klubit. Përmes përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme, ai arriti të rritej profesionalisht dhe të bëhej pjesë e rëndësishme e ekipit të parë, duke mbajtur me krenari fanellën kuqebardhë për disa sezone me radhë.
Gjatë gjithë rrugëtimit të tij në klub, Bllaca u dallua për angazhimin dhe korrektësinë e treguar brenda dhe jashtë fushës së lojës, duke qenë shembull i një futbollisti që u formua dhe u zhvillua brenda familjes “kuqebardh”.
Sport Club Gjilani shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Aridon Bllacës për kontributin e dhënë ndër vite dhe i uron atij shëndet, suksese dhe arritje të reja në vazhdimin e karrierës së tij sportive, si dhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen.” — shkroi SC Gjilani në njoftimin e lëshuar për lojtarin në fjalë.
