
Sylian Mokono nga Venlo te Prishtina
Futbollisti holandez Sylian Aldren Mokono është lojtari i ri i Prishtinës. Bardhekaltërit kanë zyrtarizuar në këto çaste lojtarin, i cili luan si mbrojtës i krahut të djathtë.
Ai së fundi ka qenë pjesë e ekipit holandez VVV Venlo, ndërsa para kësaj ka luajtur për Heraclesin. Ndërsa është rritur në ekipin e Utrechtit.
“Mbrojtësi i djathtë holandez është përforcimi më i ri i skuadrës sonë në këtë afat kalimtar dimëror.
26-vjeçari është produkt i akademisë së FC Utrecht, ku ka kaluar disa grupmosha deri te ekipi i parë. Mokono ishte pjesë e Heracles Almelo, me të cilin u shpall kampion në ligën e dytë të Holandës, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës VVV-Venlo.
Sylian Mokonos i dëshirojmë mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër!” — shkroi FC Prishtina në njoftim.
Prishtina përndryshe që aktualisht drejtohet nga Afrim Tovërlani ka përfunduar vjeshtën në Superligë me 30 pikë në pozitë të dytë, me 3 pikë më pak sesa Ballkani lider.
