
Në pjesë të dytë, Bashkimi kryen detyrën ndaj Rahovecit 029
Pas një pjese të parë të vështirë dhe me epërsi të lehtë të Rahovecit 029 në fund të saj, Bashkimi u rikthye në lojë në pjesë të dytë për të bërë dallimin dhe për të fituar ndeshjen e fundit të xhiros XVI, duke e mposhtur ekipin mysafir me 20 pikë dallim, 90-70.
Përndryshe, pjesa e parë përfundoi me rezultat 37-41 në të mirë të vreshtarëve, ndërsa pjesa e dytë shkoi 53-29 në të mirë të Bashkimit. Bashkimit gjithashtu nuk i shkoi fare shuti për tre pikë sonte, ku prej 19 tentimeve prizrenasit shënuan vetëm 4 sosh.

Lejson Zeqiri shënoi më së shumti pikë në fitore të Bashkimit. Ai dha 21 pikë, duke bërë edhe 3 asistime e 6 kërcime, ndërsa Shannon Shorter vazhdoi me ritmin e tij duke dhënë 18 pikë, 2 asistime e 8 kërcime në fitore.
Me nga 16 pikë lojën te Bashkimi e mbyllën Isaiah Cousins dhe Daquan Lake.
Te Rahoveci 029 te të cilët debutoi trajneri i ri i ekipit, Goran Samardziev, Bardhi Rexha u dallua me 19 pikë, ndërsa Kentrell Pullian shënoi 17 pikë, 9 asistime e 8 kërcime për ekipin e tij.
Fitorja bën që Bashkimi të vazhdojë ndjekjen e Trepçës kryesuese në tabelë, duke e bërë tani bilancin 11-5, derisa Rahoveci 029 mbetet në fund të renditjes tabelare dhe është në bilanc 5-11.
