
Ramadani: Drita nuk dorëzohet asnjëherë!
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës Zekirija Ramadani ka bërë të ditur për mediat se ekipi i tij nuk dorëzohet asnjëherë. Dhe atë, derisa të përfundojë dueli i kthimit në Celje që do të luhet të enjten tjetër.
“Të mos harrojmë, Drita është kampione aktuale dhe kampionia nuk dorëzohet kurrë. Lojtarët kanë karakter të fortë. Ne ishim të kujdesshëm që mos ta lëmë kundërshtarin të krijojë raste, golat e patë si erdhën, nga goditjet nga këndi, kjo u ndodh të gjithëve,” ka thënë fillimisht tekniku shkupjan.
“Guximi në pjesë të dytë u shpërblye, për këtë i përshëndes lojtarët, pasi që edhe kishim rast që pas 2-2 dhe kjo na jep motiv për ndeshjen e dytë. Në ndeshjen tjetër do të duhet të jemi edhe më të guximshëm dhe të marrim rrezik edhe më të mëadh. Duhet të besojmë sepse do të mund ta dërgojmë ndeshjen në vazhdime dhe të fitojmë,” ka thënë ndër të tjera Ramadani.
Drita pësoi në “Fadil Vokrri” nga Celje sllovene 2-3 me golin e pranuar në minutën e fundit të kohës shtesë. Kampionia e Kosovës tregoi vetëmohim në pjesë të dytë dhe përkundër disavantazhit dygolësh nga favoriti i madh për këtë duel, ka arritur të kthehet në lojë dhe të barazojë deri në sekondat e fundit edhe kur u mposht.
“Ndoshta edhe nuk kishim shumë fat. Po shpresoj që fati të në përcjell në ndeshjen e kthimit dhe të jemi edhe më të rrezikshëm,” bëri të ditur trajneri i Dritës.
