
Hellems me rekord-pikë, Vëllaznimi fiton në “Karagaç”
Numri rekordi pikëve të shënuara këtë stinor për Jericole Hellemsin, ndërsa Vëllaznimi ka dalë si triumfues nga “Karagaçi” i Pejës me fitore ndaj verdhezinjëve të premtën mbrëma për të bërë edhe më interesante luftën për mbijetesë e pozitat e poshtme të playoffit në Superligë.
Ekipi i drejtuar nga Dorant Hana ka pasur një çerek të parë tepër të mirë (16-28) dhe me këtë ka arritur të mbajë ritmin e lojës deri në fund për të dalë fitues me 11 pikë dallim në fund, 74-85.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Hellems kreu lojën me 37 pikë, bëri 2 asistime e 7 kërcime në fitore, ndërsa për tre pikë shutoi thuajse perfekt, 5/6. Pos tij, pikë dyshifrore te Vëllaznimi dhanë edhe Yor Anei (14) dhe Ziggy Reid (13).
Peja në anën tjetër nuk ka arritur të këndellet pas humbjes nga Bashkimi në xhiron e kaluar. Verdhezinjtë pësuan disfatën e 11 sezonale, ndërkaq Cesare Edwards ka qenë më i dalluari në ekip me 21 pikë e 15 kërcime!
Me fitore, Vëllaznimi mbylli ciklin e tretë me bilanc 8-13 dhe për momentin është në pozitë të gjashtë, ndërkaq Peja është aktualisht e treta me 10-11!
