
Çerekfinalet e Kupës me duele të mëdha!
Tetë ekipet e fundit në luftë për trofeun e Kupës së Kosovës dhe një biletë që garanton dalje në gara evropiane për stinorin 2026/27. Të premten në zyret e FFK-së u hodh shorti për duelet çerekfinale të Kupës, ndërsa më 4 dhe 5 mars do të luhen ato, ku do të dalin katër më të mirët për të luajtur gjysmëfinale!
Shorti deshi që Dukagjini të jetë nikoqir i Feronikelit’74, Llapi të pret Malishevën, Ferizaji Vushtrrinë dhe lideri aktual i Superligës Ballkani të gostis Gjilanin.
Çerekfinalet e Kupës së Kosovës janë me një lojë të vetme, ku fituesi i ndeshjes siguron biletën për gjysmëfinale. Pra, ndeshja luhet 90 minuta dhe nëse nuk përcaktohet fituesi, shkohet në vazhdime dhe sipas nevojës edhe në penallti për biletën drejt katërshes më të mirë të Kupës.
ÇEREKFINALET E KUPËS SË KOSOVËS:
Klinë, Dukagjini – Feronikeli’74
Podujevë, Llapi – Malisheva
Ferizaj, Ferizaji – Vushtrria
Suharekë, Ballkani – Gjilani.
Ndeshjet do të luhen në mesjavën e 4 dhe 5 marsit, ndërsa në ditët në vijim do të përcaktohet se cilat duele do të luhen me 4 e cilat më 5 mars 2026.

