
Jones në sekondën e fundit, për të vazhduar seria e fitoreve
Përkundër se Prishtina ishte në avantazh në pjesën më të madhe të lojës dhe në një moment kishte edhe 13 pikë përparësi, Trepça në formë ka arritur të kthehet në lojë dhe ta fitojë atë me shutin e fundit për të vazhduar serinë e fitoreve në Superligë.
Mitrovicasit përmes Shawn Jonesit, që kapi kërcimin në sulm dhe shënoi, fituan ndeshjen, 84-86. Ka qenë ndeshja e 13-të radhazi në kuadër të Superligës me fitore për gjelbërezinjtë, derisa “minatorët” nuk dinë për humbje që prej 7 dhjetorit të vitit të kaluar!
Prishtina kishte hyrë në çerek të fundit me dallim 3 pikësh, 64-61. Pesë minuta e 30 sekonda para fundit, Prishtina kishte epërsi 11 pikësh, 79-68. Por pas kësaj filloi rënia në lojë dhe ngritja e mysafirëve. “Minatorët” shfrytëzuan rastin dhe fitoi ndeshjen me shutin e fundit në lojë.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Shawn Jones luajti me 16 pikë e 6 kërcime në fitore, ndërsa nga 12 pikë shënuan Kenny Hasbrouck dhe Akili Vining në fitore.
Te vendasit e drejtuar nga Dusan Dubljevic, Alex Lomax dhe Adrio Bailey nuk pushuan fare, duke luajtur nga 40 minuta në lojë, dhe dhanë më së shumti pikë për ekipin. I pari shënoi 24 pikë, 7 asistime e 7 kërcime, ndërsa i dyti 20 pikë, 4 asistime e 9 kërcime.
Fitorja e 13-të radhazi në Superligë, Trepçën e bën me bilanc 18-3 dhe është shumë afër të vulosë fitoren e stinorit të rregullt, ndërsa Prishtina, mund të duket e pabesueshme, është në zonë të playoutit me bilanc 8-13.
