
Përforcim shtesë te Rahoveci 029!
Richard Granberry është përforcimi i radhës i Rahovecit 029 për fazën finale të kampionatit. Kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro për të përfunduar stinori i rregullt i Superligës, “vreshtarët” kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje me amerikanin me përvojë nga ligat e ndryshme, që të bëhet pjesë e ekipit të tyre.
Granberry 203cm. i gjatë dhe 32 vjeçar luan në pozitën e alos dhe alo-qendrës, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e ekipit argjentinas, Ciclista Olimpico de la Banda. Në karrierën e tij lojtari në fjalë ka luajtur edhe për një ekip tjetër argjentinas, Argentino Junin, ndërsa para saj ka luajtur për ekipin brazilian Fortaleza BC. Përvoja e tij evropiane vjen nga Danimarka, kur ka qenë pjesë e Vaerlose dhe Svendborg, në stinorët 2018-19 dhe 2020-21.
“Welcome Richard Granberry.
Me kënaqësi ju njoftojmë se Richard Granberry i bashkohet skuadrës sonë për pjesën e mbetur të sezonit.
Rich vjen me eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe së fundmi ishte pjesë e Ciclista Olímpico.
Mirë se vjen Rich!” — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftimin e sotëm.

Përndryshe, te ekipi i tij i fundit Olimpico, Richard Granberry ka luajtur këtë stinor me mesatare prej 11.1 pikëve për ndeshje, duke bërë 0.4 asistime për lojë dhe 5.5 kërcime. Ai është dalluar këtë stinor për shutin preciz të tij, ndërsa e ka mbi 50% të saktë shutin për dy, e edhe pse ka gjuajtur rrallë, ka pasur mbi 40% saktësi në tentimet për tre pikë!
Rahoveci 029 që aktualisht drejtohet nga trajneri verimaqedonas Goran Samardziev është i fundit në tabelën e Superligës me bilanc 7-14. Ekipi nga “Mizahir Isma” është duke debutuar këtë stinor në Superligë dhe me ngulm po kërkon mbijetesën aty, në njërin ndër stinorët më të paparashikueshëm të Superligës në histori.
