Olsi Mulaj rikthehet me gol në Francë – shënon ndaj gjigantit Montpellier

Hendbollisti kosovar Olsi Mulaj ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u rikthyer në parket me ekipin e parë të Istres Provence Handball në elitën franceze, LNH Starligue, pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të një lëndimi në shpinë.

Në ndeshjen e javës së 17-të të kampionatit francez, Istres u përball me një nga klubet më të mëdha të handbollit evropian dhe botëror, Montpellier. Në këtë përballje të nivelit të lartë, Mulaj pati një paraqitje të mirë duke kontribuar në sulm për ekipin e tij.

23-vjeçari kosovar luajti rreth 20 minuta me ekipin e parë dhe arriti të shënojë 2 gola nga 4 tentime, duke dhënë kontribut në një ndeshje me intensitet të lartë kundër një kundërshtari elitë.

Paraqitja dhe golat ndaj Montpellier konsiderohen një moment shumë i rëndësishëm për karrierën e tij, sidomos duke marrë parasysh nivelin e klubit francez, i cili njihet ndërkombëtarisht për traditën dhe sukseset në handbollin evropian.

Nga KH Besa Famgas në elitën franceze

Olsi Mulaj është zhvilluar si lojtar në KH Besa Famgas në Kosovë, ku që në moshë të re filloi të luajë me ekipin senior dhe u shqua shpejt si një nga “bekët” e majtë më premtues në vend.

Ai ka kaluar nëpër të gjitha kategoritë e përfaqësueseve të Kosovës, ndërsa sot konsiderohet një pjesë e rëndësishme e strukturës së ekipit kombëtar A, si një opsion i rëndësishëm në sulm dhe një lojtar me perspektivë afatgjatë për të ardhmen e kombëtares.

Në arenën ndërkombëtare, Mulaj tërhoqi vëmendje të madhe gjatë paraqitjeve me Kosovën në Kampionatin Botëror U19, ku u vlerësua si një nga talentet më premtues të brezit të tij në pozitën e bekut të majtë. Duke qenë nga Kosova, performanca të tilla kanë një rëndësi të veçantë për rritjen e vizibilitetit të handbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.

Hap i madh në karrierë

Transferimi i tij te Istres Provence Handball në Francë përfaqëson një hap të madh në karrierë, duke kaluar nga kampionati vendor në një nga sistemet më konkurruese të hendbollit në Evropë.

Në Francë, Mulaj po zhvillohet si pjesë e strukturës së ekipit të parë dhe të programit të zhvillimit të klubit, duke fituar përvojë dhe duke u përshtatur me kërkesat fizike dhe taktike të hendbollit në nivel të lartë evropian.

Performanca ndaj Montpellier është një sinjal i qartë i progresit të tij, ndërsa Mulaj vazhdon të konsiderohet një nga prospektet më premtuese të hendbollit kosovar dhe një lojtar kyç për të ardhmen e kombëtares së Kosovës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live