
E 15-ta me radhë, në momentet e fundit!
Kampionja aktuale e Kosovës, Trepça, po vazhdon me super ritmin që ka kapur në Superligë dhe të shtunën mbrëma regjistroi fitoren e 15-të me radhë në kampionat, duke e mposhtur Vëllaznimin.
Ka qenë pikërisht Vëllaznimi që ia kishte shkaktuar Trepçës disfatën e fundit në Superligë, kur e patën mposhtur më 7 dhjetor me 2 pikë dallim, 83-85. E prej atëherë, 15 sosh radhazi për mitrovicasit e pandalshëm dhe sonte, disi pa i dhënë fort zor, mposhtën gjakovarët 73-69. Ndeshja u zgjidh në minutën e fundit, në fakt në tri sulmet e fundit, ku Trepça pas pikëve të Hellemsit u kundërpërgjigj me Hajrizin për të bërë dallimin.
Kenny Hasbrouck dha 16 pikë, Shawn Jones 14 pikë e 10 kërcime, ndërsa Ja’cori Payne 12 të tjera në fitore. Pikë dyshifrore te Trepça dha edhe Drilon Hajrizi, 11.
Vëllaznimit përsëri si mjaftoi Jericole Hellemsi. Luajti me 20 pikë, ndërsa atij krah i doli Yor Anei me 11 të shënuara. Rron Dahsyla dha 10 pikë.
Pas 23 xhirosh, ose kur u kanë mbetur edhe nga 5 ndeshje për fund të stinorit të rregullt, Trepça është para vulosjes së fitores së stinorit të rregullt në vend të parë me bilanc 20-3, ndërkaq Vëllaznimi me 8-15 aktualisht në pozitë të gjashtë, ndërsa në fund të xhiros mbetet të shihet ku do të përfundojë pasi që të zhvillohen ndeshjet tjera.
