
Bamforth ia sjell fitoren Yllit ndaj Pejës
Reprezentuesi i Kosovës, Scott Bamforth, ka shkëlqyer në përballjen e sontme në “13 qershori” derisa ekipi i tij Ylli ka shënuar fitore ndaj Pejës në kuadër të xhiros së XXIII të Superligës së Kosovës në basketboll.
Suharekasit kanë dominuar ndeshjen, ndërsa ekipi i drejtuar nga trajneri spanjoll Paco Olmos ka dirigjuar ndeshjen prej çerekut të dytë për të shkuar te fitorja komode me rezultat 81-62.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Bamforth luajti me 24 pikë, bëri 6 asistime e 4 kërcime në fitore, ndërsa shutoi 6/11 për tre pikë, me saktësi mbi 50%. Erjon Kastrati gjithashtu ka gjetur veten prej se u kthye te Ylli, e sonte ka kontribuuar me 17 pikë, 3 asistime e 3 kërcime në fitore, duke shutuar 3/5 për tri pikë.
Peja, që pas çerekut të dytë nuk arriti të kthehej në lojë më efikas në ndeshje e ka pasur Cecil Williamsin me 14 pikë të shënuara, kurse me nga 12 pikë ndeshjen e kryen Arti Hajdari dhe Da’Quan Bracey. Cesare Edwards luajti me double-double, 10 pikë e 12 kërcime.
Fitorja, bën që Ylli tani të ketë bilanc 10-13 dhe të barazojë bilancin me të Pejës, që gjithashtu e ka tani 10-13, derisa skuadrat në fjalë ndajnë pozitat 4 dhe 5 në tabelë. Me këtë fitore, Ylli ka barazuar bilancin e ndërmjetëm me Pejën në 2-2 në stinorin e rregullt, por pejanët kanë 4 pikë më shumë në koshdallim në duelet mes vete dhe në rast se skuadrat kryejnë me pikë të barabarta stinorin e rregullt, Peja do të mbetet më lartë.
