
Prishtina mposhti Borën dhe doli nga zona playout!
Në derbin lokal të kryeqytetit, Prishtina ka arritur që në pjesë të dytë të këndellet dhe të shënojë fitore ndaj Borës për të siguruar një fitore që i nxjerrë ata nga zona playout e Superligës.
Çereku i dytë ka qenë plotësisht i Borës (24-9), mirëpo Prishtina në vazhdim ka arritur që të rikthejë avantazhin (18-28) dhe (14-19) për të fituar ndeshjen falë dallimit që e kishin bërë në çerek të parë (16-21) për përfundimtaren, 72-77!
Deondre Burns që në xhiron e kaluar u kthye nga lëndimi ka shkëlqyer për Prishtinën në këtë lojë, duke shënuar 27 pikë, 6 asistime dhe 4 kërcime, ndërkaq me 17 pikë u dallua Altin Morina. Adrio Bailey luajti me 14 pikë e 6 kërcime në këtë fitore të rëndësishme për rekord-kampionen e Kosovës.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Bora që dominoi në çerek të dytë ra nga loja në pjesë të dytë të ndeshjes për tu mposhtur, ndërsa nga lojtarët e saj më të dalluar sonte kanë qenë Shaquan Jules me 14 pikë dhe Alex Hunter me 13 pikë të shënuara.
Fitorja, bën që Prishtina të bëhet me bilanc 9-14 dhe të dalë nga zona playout, ku tash bie Vëllaznimi, ndërkaq Bora në pozitë të tretë akoma është në bilanc pozitiv, tani me 12-11.
Përndryshe, me këtë fitore Prishtina ka barazuar bilancin e ndërmjetëm me Borën në kuadër të stinorit të rregullt me 2-2, ndërsa ka marrë avantazhin me koshdallim për tre pikë. Kjo statistikë do të vlejë nëse të dyja skuadrat kryejnë stinorin e rregullt në pikë të njëjta, atëherë Prishtina do të jetë mbi Borën në renditje tabeleare!
