Sllovakët lëshojnë valën e parafundit të biletave për ndeshje ndaj Kosovës

Përballja e madhe e playoffit ndërmjet Sllovakisë dhe Kosovës që do të zhvillohet më 26 mars 2026 në Bratisllavë, para grumbullimit të lojtarëve ka marrë edhe një valë entuziazmi që sot.

Si Dardanët ashtu edhe sllovakët dalin me njoftime

Sikurse “Dardanët” që njoftuan se biletat për sektorin e mysafirëve në këtë ndeshje janë shitur në tërësi, ashtu edhe sllovakët kanë lëshuar njoftim në faqen zyrtare të tyre duke bërë të ditur se sot ka filluar vala e dytë e shitjes së biletave për ndeshjet e playoffit.

Sllovakët janë duke shitur biletat për dy ndeshje në pako, atë të playoffit ndaj Kosovës dhe atë që mund të jetë finale e playoffit, ose miqësore për ata, ndaj Rumanisë ose Turqisë. Ky fakt kishte shkaktuar reagime te publiku sllovak në rrjete sociale, por Federata e tyre nuk ka bërë hap prapa në këtë aspekt.

Mundësia e fundit

Sidoqoftë, në fund SFZ ka bërë të ditur se për të blerë bileta për njërën ndeshje, Sllovakia – Kosova ose Sllovakia – Turqia/Rumania, do të mund të blihen vetëm pas datës 19 mars me fillim prej orës 11.00. Por, për këtë datë nuk ka të garantuar se do të mbetet ndonjë biletë nga shitjet që do të ndodhin këto ditë.

Drejt Kampionatit Botëror

Kujtojmë, faza e playoffit për Kampionat Botëror ka vendosur në një grup eliminator Kosovën, Sllovakinë, Rumaninë dhe Turqinë. Fituesit e ndeshjeve Sllovakia – Kosova dhe Turqia – Rumania, do të luajnë finalen më 31 mars. Fituesi i kësaj finaleje do të sigurojë biletën për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në SHBA, Kanadë dhe Meksiko këtë verë. Humbësit e gjysmëfinaleve të këtij grupi luajnë ndeshje miqësore më 31 mars.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live