Bashkimi menzi mposhti Rahovecin 029

Ndeshja e fundit e xhiros XXIII në Superligë solli shumë më shumë dramë sesa që pritej. Një ndeshje që do të duhej të ishte e lehtë për Bashkimin që është në pozitë të dytë dhe gati të vulos matematikisht gjysmëfinalen e playoffit, kundër një Rahoveci 029 të fundit në renditje tabelare – për pak sa u bë befasi nga vendasit në “Mizahir Isma”.

Sekondat e fundit

Dhe kjo, do të ishte plotësisht me meritë për vendasit, të cilët në asnjë moment nuk i ndalën shpresat dhe mundësitë, ndërsa luftuan deri në sekondën e fundit të kohës së rregullt, pasi që pas barazimit 84-84 me anë të treshes së Kentrell Pullianit, rrëmbyen topin nga sulmi i fundit i ndeshjes i mysafirëve dhe vetëm fati nuk deshi që shuti i J’Von McCorrmickut të mos hynte në kosh.

E kur ndeshja shkoi në vazhdime gjithçka ishte më e lehtë për prizrenasit, të cilët shfrytëzuan mungesën e Fisnik Rugovës dhe Bardhi Rexhës me nga pesë personale, për të fituar duelin, 88-93.

Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES

Jalen Riley me 26 pikë ishte më efikasi te Bashkimi në fitore, derisa shënoi 12 nga 14 gjuajtjet e lira që i fitoi, e që në fund u tregua me rëndësi të madhe për fitore. Lejson Zeqiri kreu lojën me double-double prej 14 pikësh dhe 12 kërcimesh, ndërsa ka qenë lojtari i vetëm në ekip të Bashkimit që nuk është pushuar për asnjë sekond (luajti 45 minutat e plota) nga trajneri malazez Igor Jovovic!

Te Rahoveci 029 më të dalluarit sonte kanë qenë J’Von McCormmick me 30 pikë, 4 asistime e 2 kërcime që shutoi 6/10 për tri pikë, si dhe Kentrell Pullian që luajti lojë tepër të mirë me 21 pikë, 7 asistime e 7 kërcime! Dyshja, kanë marrë vetëm një minutë pushim nga trajneri Goran Samardziev gjatë ndeshjes në 45 minuta lojë!

Xhirot e fundit

Fitorja bën që Bashkimi të përforcojë pozitën e dytë në renditje tabelare me bilanc 16-7 dhe tani më atyre u duhet vetëm edhe një fitore për të vulosur gjysmëfinalen e playoffit prej stinorit të rregullt, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për tu luajtur.

Rahoveci 029 në zonë të rënies, i fundit në tabelë me bilanc 7-16! Ekipi do të mund të bënte hap të madh drejt shpëtimit me fitore eventuale sonte, por atë vetëm mungesa e fatit e ndali! Vreshtarët do të bëjnë çmos që të nxjerrin fitore në pesë “finalet” e tyre të stinorit debutues në Superligë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live