
Arsim Abazi rikthehet në Superligë!
Pas periudhës së kaluar te Dinamo, Arsim Abazi i është kthyer Superligës! Kjo, pasi që pas ndarjes së rrugëve me Nevli Deden, Ferizaji e ka rikthyer atë në detyrë!
“Arsim Abazi rikthehet në krye të shtabit teknik të FC Ferizaj, në një vendim të shumëpritur dhe të kërkuar fuqishëm nga tifozët ferizajas. Pas një periudhe sfiduese, klubi ka vendosur t’i besojë sërish një figure që e njeh shumë mirë ambientin, filozofinë dhe shpirtin e skuadrës.
Ky rikthim nuk përfaqëson vetëm një ndryshim në pankinë, por edhe një mesazh të qartë për stabilitet dhe ambicie më të mëdha. Besimi i tifozëve ndaj Abazit ka qenë gjithmonë i fortë, duke reflektuar lidhjen e veçantë mes tij dhe qytetit.
Nën drejtimin e tij, pritet që FC Ferizaj të rikthejë identitetin dhe frymën garuese, duke synuar rezultate pozitive dhe arritjen e objektivave të sezonit me më shumë siguri dhe motivim.” – shkroi FC Ferizaji në njoftim.
Përndryshe, Ferizaji nisi stinorin me Abazin, pastaj pas largimit të tij emëroi në detyrë Nevil Deden. Dede drejtoi Ferizajin prej xhiros së tetë e deri në xhiron e 29-të, kur ekipi barazoi si vendas ndaj Prishtinës së Re.
Aktualisht ekipi është në pozitë të nëntë (të parafundit) të tabelës dhe ka 33 pikë, njëjtë sikurse Llapi që është i teti. Drenica, në zonën e shpëtimit ka 35 pikë. Prishtina e Re është e fundit me 28 pikë.
