
Ferizaji forcon mbrojtjen
Një futbollist i ri te Ferizaji është prezantuar sot, ndërsa skuadra e Superligës që po lufton për mbijetesë ka bërë të ditur se ka angazhuar si lojtar të ri në ekip, mbrojtësin El Hadji Gueye.
I formuar te Lille, Gueye 185cm. i gjatë, së fundi ka qenë pjesë e Shkupit në stinorin e kaluar dhe këtë stinor ka qenë lojtar i lirë. Ai pos Shkupit, para saj ka qenë pjesë e Mouscronit belg, ndërsa si fillestar, futbollist i shpresave të Lille. Senegalezi luan në qendër të mbrojtjes.
“Zyrtarizojmë ardhjen e mbrojtësit 26-vjeçar El Hadji Gueye, i cili i bashkohet FC Ferizaj për të forcuar repartin defensiv të skuadrës sonë.
I formuar te gjiganti francez LOSC Lille dhe me përvojë në arenën evropiane, përfshirë edhe paraqitjet me FC Shkupi, Gueye sjell forcë fizike, siguri dhe dominim në mbrojtje.
Marrëveshja ndërmjet klubit dhe lojtarit ishte arritur gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo për shkak të vonesës në pajisjen me vizë, zyrtarizimi i transferimit u realizua tani.
Mirë se erdhe te FC Ferizaj!” — shkroi FC Ferizaji në njoftim.
Ferizaji që po drejtohet nga Nevil Dede është në pozitë të tetë të Superligës pas 21 xhirosh. Ekipi ka 22 pikë, një më shumë sesa dy skuadrat që janë në zonë të rënies direkte, Prishtina e Re dhe Drenica.
