Fusha në rregullim për ndeshjet e Kosovës, Prishtina luan në Hajvali!

Përballjet e Kosovës në kuadër të Ligës B të Kombeve janë shumë të rëndësishme. Kjo, pasi që Kosova për herë të parë në histori të saj do të merr pjesë në Ligën B të Kombeve, pas kualifikimit aty përmes playoffit të Ligës C të Kombeve në edicionin e kaluar të saj.

Duelet e rëndësishme

E për shkak të ndeshjeve të rëndësishme që do të zhvillohen si vendas në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, FFK ka marrë vendim që fusha të rregullohet ashtu që bari të jetë në gjendje sa më të mirë para ndeshjeve të fund-shtatorit e fillim-tetorit, kur “Dardanët” presin kundërshtarët në kuadër të Grupit 3 të Ligës B të Kombeve.

Kjo, natyrisht ka ndikuar që edhe FC Prishtina, që luan ndeshjet si vendas në “Fadil Vokrri” të mos ketë mundësi të luajë në qytet, kurse vetë klubi ka bërë të ditur se për ndeshjet e radhës si vendas do të bartet në Hajvali, ku do të shfrytëzojë fushën e Kampit Nacional të FFK-së për duelet e saj.

“Për shkak të punimeve që do të nisin në stadiumin “Fadil Vokrri” për riparimin e fushës, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ndeshja FC Prishtina – FC Vushtrria zhvendoset dhe do të zhvillohet të premten në Kampin Nacional në Hajvali.” — bëri të ditur FC Prishtina.

Përndryshe Prishtina ka nisur shumë mirë stinorin e ri të Superligës dhe nga dy ndeshjet e para të saja aty ka arritur dy fitore nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi.

Datat e ndeshjeve të Kosovës

Në anën tjetër, Kosova pas gjysmës së shtatorit do të bëhet gati për përballjet e Ligës së Kombeve, ndërkaq në grup ka kundërshtarë si Irlanda, Izraeli dhe Austria.

Dueli i parë i Kosovës luhet më 24 shtator kur pret Irlandën. Pastaj më 27 shtator luan ndaj Austrisë në Vjenë. Më 1 tetor i shkon Izraelit në Hungari, kurse më 4 tetor pret Austrinë në “Fadil Vokrri”.

Faza grupore e Ligës së Kombeve mbyllet në nëntor, ku Kosova pret Izraelin më 14 nëntor dhe udhëton në Irlandë më 17 nëntor për të kuptuar gjendjen përfundimtare të grupit.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live