
Kreshnik Uka – Ylli i javës (35)
Kreshnik Uka është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 35 në Superligë.
Sezonin e tij fantastik te Drenica këtë xhiro Uka e vazhdoi me dy gola e një asistim në fitoren e Drenicës ndaj Ferizajit, për ta fituar kështu me meritë epitetin e “Yllit të Javës”.
Ndërkohë, Kreshnik Uka është pjesë edhe e 11-shes javore për këtë xhiro të zgjedhur nga TopSporti, si dhe sulmuesi i Drenicës për momentin i prin listës së golashënuesve në Superligë.
“Çdo lojë prej sezonit pranveror ka qenë finale për neve. E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, pavarësisht faktit që Ferizaj është përshëndetur nga Albi Mall Superliga, por e kemi ditur që ka me qenë shumë vështirë të fitojmë, por në fund ia arritëm qëllimit. Jam i lumtur që kontribuova me dy gola dhe një asistim. I falënderoj gjithë bashkëlojtarët e mi për angazhimin gjatë gjithë ndeshjes. Ndeshjen e fundit e kemi ndaj Prishtinës si mysafir dhe e dimë që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të shkojmë për tri pikë për t’iu shmangur barazhit. Faleminderit Federatës për çmimin ‘Ylli i Javës’, si dhe të gjithë bashkëlojtarëve, stafit të trajnerëve dhe tifozëve për përkrahjen e tyre”, tha Uka për faqen zyrtare të FFK-së pas pranimit të çmimit.

