Malisheva bën bujë me fitoren e madhe ndaj Hibernianit

Fitorja e madhe e Malishevës e arritur në pasditen e djeshme ndaj Hibernianit skocez, ka bërë bujë edhe në ishull. BBC Sport ka shkruar për këtë disfatë të ekipit skocez, ndërsa e ka quajtur si një ndër “rezultatet më të këqija evropiane” të ekipit duke shikuar kundërshtarin!

Shkëlqimi i transferit të ri

Malisheva shënoi fitore 2-0 ndaj Hibernianit në “Fadil Vokrri” kur Kreshnik Uka (21′) shënoi për avantazh, ndërsa Valmir Nafiu (90′) siguroi fitoren e ekipit të drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric. Përndryshe, Uka që këtë stinor erdhi te Malisheva nga Drenica, edhe asistoi në golin e dytë, duke lënë shenjë në këtë fitore historike të ekipit kosovar.

Shkrimi i BBC Sport

“Në stadiumin “Fadil Vokrri” pranë 2873 shikuesve, Hibernian pësoi njërën ndër disfatat më të këqija të saja evropiane. Përballë kishin një kundërshtar pothuajse të panjohur, i themeluar vetëm 10 vjet më parë, që deri javën e kaluar nuk kishte fituar asnjë përballje evropiane. Ndeshja u zhvillua në një fushë aq të dëmtuar, sa lojtarët rrëshqisnin dhe rrëzoheshin vazhdimisht. I vetmi element që mungonte ishte vapa përvëluese, megjithëse Hibernian e luajti pjesën e parë sikur temperatura të ishte mbi 30 gradë celzius, aq të plogësht dhe pa ritëm u dukën lojtarët e saj.”

Deklaratat e trajnerëve

As trajneri i ekipit skocez nuk kishte çka të thoshe më shumë, pasi që në deklaratën e tij pas ndeshjes ai theksoi se nëse flitet për këtë ndeshje atëherë do të duket që po kërkoj ndonjë shfajësim. Shpresa e vetme është ndeshja e kthimit, tha David Gray.

“Nuk do të flas për ndeshjen dhe rastet, pasi që do të shihet si një shfajësim. E vetmja gjë pozitive që mund të them është se i kemi edhe 90-minuta lojë, për të rregulluar gjithçka. Besoj që për këtë kemi mundësi.” — ka thënë Gray pas ndeshjes, shkruan BBC Sport.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Hibernianin dhe Malishevës do të zhvillohet në Edinburgh më 30 korrik, me fillim prej orës 21.00, në stadiumin “Easter Road” që ka kapacitet prej 20 mijë e 421 ulëseve.

“Na duhet një strategji për të shpresuar për të kaluar tutje. Në Skoci do të jetë ndeshje krejt tjetër. Synimi është të kualifikohemi”, ka thënë Brdaric pas ndeshjes, i vetëdijshëm për arritjen e madhe të ekipit të tij.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live