
Trepça vazhdon serinë e fitoreve në vazhdime
Peja dukej se po kërkonte fitoren e madhe ndaj Trepçës dhe ndërprerjen e serisë së tyre në kampionat, por përkundër se i arritën vazhdimet përmes treshes së Musab Malës, në fund ekipi i Adis Beciragicit siguroi fitoren me tri pikë dallim, për përfundimtaren, Peja – Trepça 95-98 [87-87].
Ja’cori Payne me 27 pikë ka qenë më efikasi në fitoren e 14-të radhazi të Trepçës. 16 pikë, 5 asistime e 5 kërcime i bëri Kenny Hassbrouck, kurse 15 pikë e 5 kërcime i kompletoi Moustapha Amzil në fitore.
Te Peja, ku debutuan lojtarët e ri dhe u tregua një dëshirë më e madhe për të arritur fitore, basketbollist më efikas në ndeshje ka qenë Cesare Edwards që dha 30 pikë, 2 asistime e 17 kërcime. Musab Mala shënoi 17 pikë, ndërsa me 14 pikë ndeshjen e kreu DaQuan Bracey i posaardhur, që bëri edhe 5 asistime e 4 kërcime në këtë përballje.
Trepça para sigurimit matematik të vendit të parë
Trepça, është shumë afër të vuloset si fituese e stinorit të rregullt edhe matematikisht, ndërsa ka bilancin 19-3 si lidere, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të stinorit, ndërsa ia ka bërë 3-1 Pejës në duelet e ndërsjella përgjatë kampionatit.
Peja, aktualisht me bilanc 10-12, praktikisht nuk ka të sigurt asgjë matematikisht, pos që nuk mund të bëhet e para. Ekipi është më afër playoffit, krejt falë 6 fitoreve të arritura në ciklin e parë të ndeshjeve, derisa në dy cikle tjera shënuan 4!
