
Rikthehet Urim Zenelaj!
Lojtari më i gjatë që ka prodhuar basketbolli i Kosovës pas lufte, Urim Zenelaj, do t’i rikthehet koshave këtë stinor, ndërsa KB Prizreni ka bërë të ditur se ka angazhuar qendrën gjigande për stinorin 2025/26.
“Urim Zenelaj është gati për një kapitull të ri me Proton Cable Prizreni! Besnikëria e tij vazhdon, ndërsa rikthehet në fushë plot energji dhe i gatshëm për të dhënë gjithçka për ngjyrat tona!” — shkroi njoftimi i ProtonCable Prizrenit mbrëmë.
Qendra 213 centimetërshe që në shtatë stinorët e fundit ka qenë lojtar i bardhezinjëve do të vazhdojë me ata në Ligë të Parë, për të kërkuar rikthimin e shpejt të ekipit në Superligë, siç synon klubi.
Më parë, Zenelaj ka qenë pjesë e Bashkimit, Prishtinës dhe Yllit, ndërkaq është edhe ish-lojtar i Kosovës. Përvoja e 34 vjeçarit dhe gjatësia e tij pritet të bëjnë dallimin nën kosh për ekipin e Prizrenit.