Dita e mirë shihet në mëngjes! Foda +2

Pas njoftimit të djeshëm nga Kicker, sot është zyrtarizuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Franco Foda do të vazhdojë të drejtojë Kosovën edhe për dy vitet e ardhshme, ndërsa strategu gjerman tashmë veçse ka shkruar historinë me Kosovën, me fitoret e arritura ndaj Suedisë.

“Federata e Futbollit e Kosovës ka kënaqësinë të njoftoi se ka zyrtarizuar edhe formalisht marrëveshjen e mëhershme me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vite.
Kontrata që konfirmon qëndrimin e Fodas në krye të ekipit kombëtar është nënshkruar zyrtarisht nga Presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar në muajin tetor, përkatësisht me datën 6-të, duke formalizuar edhe në mënyrë zyrtare marrëveshjen e arritur paraprakisht.
Me marrëveshjen e re, Foda do t’ i prijë kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028.
Franco Foda ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar me 17.02.2024 dhe që nga ajo periudhë ka udhëhequr kombëtarën tonë në 17 ndeshje deri tani, duke arritur: 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë me Rumaninë 0:0) dhe ka pësuar 4 humbje.” — shkroi FFK në njoftim.

Franco Foda ka bërë revolucion në lojën dhe disiplinën e Kosovës si reprezentacion. Ai ka treguar veten së pari në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Rumanisë si mysafir, ku tregoi se ka lexuar plotësisht kundërshtarin, përkundër se ndeshja nuk përfundoi kurrë, për shkak të incidenteve.

Më pas, Kosova me të nisur kualifikimet për Botërorin 2026 shënoi fitoren më të madhe në histori duke mposhtur Suedinë, për herë të parë një kombëtare që ishte në TOP-30 të botës. Nuk mjaftoi me kaq, Suedia u mposht edhe si vendas nga Kosova për të mbajtur gjallë shpresat dhe për të rritur gjasat për playoff të Botërorit.

E tani më, Foda ka marrëveshje për vazhdim automatik të kontratës nëse në kualifikimet e ardhshme për EURO, siguron kualifikimin historik të Kosovës, pa marrë parasysh rezultatet tjera.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live