
Rahoveci 029 ndau rrugët me Bujar Locin
Pas disfatës së djeshme nga Bora, Rahoveci 029, ekipi debutues në Superligë ka ndarë rrugët me trajnerin. Bujar Loci që filloi stinorin si trajneri i vetëm vendor në Superligë, ka ndarë rrugët me ekipin e tij.
Rahoveci 029 ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin pejan, duke e falenderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin.
“Me marrëveshje të dyanshme kemi ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Bujar Loci.
Për një sezon e gjysmë, trajneri Loci ishte pjesë e rëndësishme e historisë së inkuadrimit dhe zhvillimit të klubit tonë, duke dhënë kontribut të çmuar me përkushtim, profesionalizëm dhe punë të palodhshme.
Klubi e falënderon trajnerin Bujar Loci për angazhimin, korrektësinë dhe gjithçka që ka dhënë gjatë kësaj periudhe, duke i uruar shumë suksese dhe mbarësi në vazhdim.
Faleminderit për gjithçka Buki!” — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftim.
Përndryshe Rahoveci 029 nuk është që ia nisi dobët Superligës në stinorin debutues, por gjërat ndryshuan me ecurinë e stinorit dhe aktualisht vreshtarët janë në bilanc 5-10. Ekipi ka pësuar tre humbje radhazi së fundi dhe fitorja e fundit në Superligë daton më 14 dhjetor kur mposhtën Pejën.
