
Në kohën shtesë, Drita mposhtet
Paraqitje e denjë prej kampioni të Kosovës, derisa Drita përkundër se ishte në disavantazh dygolësh ka arritur të barazojë dhe ishte afër që së paku të mos mposhtet.
Por, një krosim dhe goditje me kokë e sulmuesit Poplatnik solli fitoren e mysafirëve dhe tani gjilanasit do të duhet të sulmojnë në ndeshjen e kthimit pas një jave, për të kërkuar kalimin tutje nga playoffi i Ligës së Konferencës, pas rezultatit të sotëm Drita – Celje 2-3 [Blerim Krasniqi 59′, Liridon Balaj 75′ — Kucys 19′, Avdyli 41′, Poplatnik 90’+4]
Në pjesë të parë favoritët e ndeshjes nga Sllovenia avancuan me dy gola pas tollovive në zonë. Por në pjesë të dytë Drita u rikthye me Blerim Krasniqin dhe Liridon Balajn.
Bile, kah fundi pati edhe një mundësi të mirë që me një reagim më të mirë në zonë, të shtyhet topi për avantazhin e madh, por nuk ndodhi dhe në minutën e katërt të kohës shtesë, Celje dënoi.
Tani, të enjten tjetër Drita e Zekirija Ramadanit do të tentojë një detyrë edhe më të vështirë, t’i mposht sllovenët për të shpresuar së paku në vazhdime e pse jo edhe kalim tutje më pas.
