
Skyler Flatten zyrtarizohet te ekipi nordik
Tani më ish lojtari i Pejës, Skyler Flatten, është zyrtarizuar te ekipi i ri i tij. Klubi finlandez i basketbollit, Karhubasket ka bërë të ditur se ka angazhuar basketbollistin 30 vjeçar deri në fund të stinorit 2025/26.
“Skyler Flatten sjell përvojë në parket. Ai do të mbushë hapësirat e lëna bosh nga largimi i Chris Davisit, ndërsa me ekipin e fundit të tij në Kosovë ka luajtur nën urdhërat e Greg Gibsonit, që do të thotë se ka pasur menaxhim të mirë. Besoj se një lojtar me përvojë do të adaptohet shpejt në ekipin e ri,” ka thënë ndër të tjera trajneri i ekipit Karhunasket, Janne Koskimies.
Flatten ka qenë ndër lojtarët më të dalluar të Pejës në pjesën vjeshtore të stinorit. Mesatarisht me 26.8 minuta për ndeshje, ai ka luajtur me 10 pikë, 1.8 asistime dhe 4.2 kërcime për ndeshje. Përndryshe, Peja kishte zyrtarizuar ndarjen me Flattenin me të përfunduar muaji janar i këtij viti.
