
Përkundër krizës, Prishtina zyrtarizon përforcimin e radhës në ekip
Përkundër krizës së thellë në klub, Prishtina pas konferencës së jashtëzakonshme për shtyp të mbajtur të martën në mesditë, ka bërë të ditur më vonë për angazhimin e një lojtari tjetër të huaj që do të luajë në pozitën e alo-qendrës dhe qendrës.

Fjala është për amerikanin Derricko Williams, që së fundi ka qenë pjesë ekipit elit portugez, CA Queluz. I lindur në vitin 2001 dhe me 202cm. e tij, Williams pritet t’i shtojë forcë bardhekaltërve nën kosh, ndërsa skuadra dëshiron që të dalë nga kriza e rezultateve dhe pozita e parafundit e tabelës.
Përforcimin në fjalë e kishte paralajmëruar edhe trajneri aktual i ekipit Dusan Dubljevic, i cili bile ka dhënë premtim se Prishtina në ciklin e fundit të ndeshjeve të Superligës së paku në shtëpi do t’i fitojë të gjitha ndeshjet.
E Derricko Williams te Queluz në stinorin aktual ka pasur mesatare prej 20.7 minutave për ndeshje, ku ka luajtur me 10.7 pikë, 0.8 asistime dhe 5.5 kërcime për lojë.
Përndryshe, Prishtina pas tri cikleve të ndeshjeve të Superligës është në pozitën më të keqe në histori, duke qenë e parafundit me bilanc 8-13.
