De’jon Davis 200cm. shtesë te Peja

Me përvojë të gjatë në basketbollin evropian, De’jon Davis, është zyrtarizuar dje si lojtar i ri i Pejës. Amerikani me 200cm e tij pritet t’i ndihmojë Pejës në pjesën përfundimtare të kampionatit, ndërsa prej stinorit 2020/21 është pjesë e basketbollit evropian.

Ka luajtur në elitën e basketbollit gjerman, grek, pastaj në ligë të dytë të Turqisë e të Greqisë, derisa këtë stinor ka qenë pjesë e ekipit polak, Slask Wroclaw.

Te Slask, Davis ka pasur paraqitje në elitën polake dhe ka luajtur edhe në Eurocup. Mesatarja e tij aty ka qenë 7 pikë për ndeshje e 2 kërcime për lojë, në total 10 paraqitje që kishte në të dyja garat, me 17.5 minuta për lojë.

“De’jon Davis, transferimi i radhës te GO+ Peja.
Kemi kënaqësinë t’iu informojmë se skuadra jonë ka arritur marrëveshje për transferimin e De’jon Davis (27, 2m00).
Davis ka ndërtuar karrierë në liga të mëdha Europiane si Turqia, Qipro, Greqia, Gjermania – derisa së fundmi ai ishte pjesën e liderit të Polonisë dhe skuadrës së Eurocup, Slask.
27-vjeçari vjen si përforcim i rëndësishëm për skuadrën tonë, para pjesës kyçe të edicionit.” — shkroi KB Peja në njoftim.

Peja që ka emëruar trajnerin kroat Damir Milacic, pasi që u nda me amerikanin Greg Gibson, aktualisht është në pozitë të katërt të tabelës me bilanc 10-11. Kujtojmë, gjashtë fitoret e para Peja i kishte arritur në ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës, pasi që atë e përfundoi me bilanc 6-1. Pas saj, dy ciklet tjera kaluan me 4 fitore e 10 disfata!

Tani, Peja mëton që të këndellet për ciklin e fundit të ndeshjeve të Superligës, për të kapur pozitë sa më të mirë për playoff, ku do të kërkojë plasman sa më të lartë të mundshëm në fazën përfundimtare të Superligës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live