
Çka ndodh nëse Prishtina, Vëllaznimi e Rahoveci 029 kryejnë stinorin me pikë të njëjta?
Stinori i rregullt i Superligës dhe pozitat përfundimtare të skuadrave përcaktohen sot, edhe pse ndeshja Bashkimi – Bora luhet nesër. Këto të dyja tashmë kanë siguruar vendet e tyre, ku Bashkimi është i dyti në renditje tabelare dhe shkon direkt në gjysmëfinale të playoffit, ndërkaq Bora me renditjen më të mirë në histori të klubit, mbyll sezonin në vend të tretë dhe me përparësi terreni vendas për çerekfinale të playoffit.
Por, skuadrat tjera të gjitha luftojnë për pozitën e tyre dhe ndeshjet e tyre luhen sot. Interesant është pyetja e bërë nga shumë lexues, ku mundësia që Prishtina, Vëllaznimi e Rahoveci 029 të përfundojnë me 38 pikë stinorin, si bëhet renditja tabelare. Kush shkon në playoff, kush mbijeton dhe kush bie nga liga?
Kjo shkruan në Nenin 47 të FBK-së, të Propozicioneve të Garave për stinorin 2025/26 – Mënyra e ndarjes së pikëve, përcaktimi i plasmanit.
Aty, ekziston nen i veçantë i FBK-së që thotë:
“47.1.4.Nëse më shumë se dy ekipe kanë tubuar numër të njëjtë të pikëve, renditja përcaktohet vetëm në bazë kosh-diferencës të pikëve të shënuara ndeshjet në mes tyre;”
Kjo do të thotë që krijohet grupi në mes të Prishtinës, Vëllaznimit dhe Rahovecit. Nga këto llogariten pastaj pikët e shënuara në mes tyre, ku Prishtina ka bilans më të mirë, pastaj vjen Vëllaznimi e në fund Rahoveci 029.
Pra, nëse të trija skuadrat kryejnë stinorin me pikë të barabarta, nga 38 pikë, atëherë, Prishtina përfundon stinorin në pozitë të gjashtë dhe shkon në playoff, Vëllaznimi shpëton stinorin, ndërsa Rahoveci 029 bie nga Superliga.
KOSHDALLIMI MES TRI SKUADRAVE:
Prishtina = 597-587 = 10,
Vellaznimi = 622-615 = 7,
Rahoveci = 574-591 = -17.
Në anën tjetër, Rahoveci 029 ende ka gjasa për shpëtim, pasi që skuadra e vreshtarëve me fitore ndaj Yllit e një humbje e Vëllaznimit nga Peja, do të bënte që gjakovarët të bien nga elita.
Prishtina do të jetë ose në playoff ose pa të. Ndërkaq Vëllaznimi me fitore siguron mbijetesën, e ndoshta edhe playoffin.
Rahoveci 029 do të mund të mbijetojë edhe me një kombinim tjetër. Nëse të trija skuadrat sot fitojnë, Prishtina, Vëllaznimi e Rahoveci 029. Atëherë në këtë kombinim Vëllaznimi bie, pasi që ka bilans më të dobët në duele direkte me vreshtarët, derisa Prishtina do të ketë një pikë më shumë dhe do të siguronte playoffin.
Ka edhe skenarë tjerë që mund të ndodhin, por ato nuk kanë të bëjnë me kombinimin ku të trija skuadrat kanë pikë të njëjta në fund të stinorit të rregullt, që e bën edhe edicionin e sivjetëm të Superligës më interesantin në histori, pasi që në xhiron e fundit do të përcaktohen të gjitha pozitat e renditjes tabelare, pos vendit të parë, të dytë dhe të tretë që tashmë dihen: Trepça, Bashkimi dhe Bora, përkatësisht. Në anën tjetër, për pozitat 4 dhe 5 në tabelë luftojnë Ylli dhe Peja.
Superliga-Java 28
E mërkurë
18:45 Trepça – Sigal Prishtina
18:45 Vëllaznimi – Peja
18:45 Golden Eagle Ylli – Rahoveci 029
E enjte
18:45 Bashkimi – Bora
