
Rikthim për gara evropiane!
Malisheva pas disfatës nga Prishtina e Re ndau rrugët me trajnerin premtues Elon Berisha, ku ky i fundit bashkë me stafin e tij (Kastriot Rexha dhe Fitim Shabani) dha dorëheqje duke marrë përgjegjësinë. Sot, ashtu si edhe u përfol, Malisheva bëri të ditur se ka angazhuar trajner të ri për pjesën përfundimtare të stinorit.
“Profa” siç njihet në kuloaret sportive, Bylbyl Sokoli, është emëruar trajner i Malishevës deri në fund të stinorit. Sokoli rikthehet pas një kohe të gjatë te ish ekipi i tij, për objektiva më të larta siç shkroi klubi në fjalë.
“Bylbyl Sokoli rikthehet si Kryetrajner i FC Malisheva.
FC Malisheva njofton opinionin publik se ka arritur marrëveshje me kryetrajnerin e mirënjohur, Prof. Bylbyl Sokoli, i cili do ta drejtojë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.
Profesori rikthehet në Malishevë, tani për objektiva edhe më të larta, të cilat shpresojmë se do t’i arrijmë bashkërisht.
FC Malisheva i uron Prof. Bylbyl Sokolit mirëseardhje në shtëpi, duke i dëshiruar sa më shumë suksese dhe arritjen e objektivit tonë të përbashkët.
Besojmë se ky rrugëtim do të jetë i suksesshëm për të gjithë, familjen tonë sportive – FC Malisheva!” – shkroi njoftimi i malishevasve.
Përndryshe, Malisheva është duke synuar minimalisht pozitën e tretë në renditje tabelare në fund të stinorit, pozitë kjo që hap dyert e garave të UEFA-së si pjesëmarrës në kualifikime për Ligë të Konferencës.
